Pamje nga konferenca kundër ekstremizmit të dhunshëm - Foto: MAShT
Bajrami: Edukimi Cilësor, Rruga më e Mirë e Luftimit të Ekstremizmit
Edukimi i mirë e cilësor është mënyra më e mirë e luftimit të radikalizmit dhe ekstremizmit, ka thënë ministri i Arsimit, Arsim Bajrami në konferencën “Angazhimi i shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”.
Ministri Bajrami vlerësoi se ngritja e vetëdijes për radikalizmin duhet të bëhet që në mosha të hershme përmes teksteve shkollore.
“Ne duhet që në kurrikula të promovojmë frymën e edukimit pozitiv. Fëmijëve tanë duhet që në moshë të hershme t’u tregojmë se diversiteti kulturor dhe fetar është përparësi për vendin. Kushtetuta jonë është e orientuar në frymën e bashkëjetesës së komuniteteve dhe bashkësive fetare. Fëmijët tanë duhet të edukohen që cilado ideologji tjetër është e huaj dhe e papranueshme për shkollat tona”, u shpreh ministri i Arsimit, thekson një komunikatë e MASHT-it.
Në këtë konferencë, ministri Arsim Bajrami ka theksuar po ashtu se rruga më e mirë e luftimit të radikalizmit dhe ekstremizmit që shpie në terrorizëm është edukimi i mirë, cilësor, gjithëpërfshirja si dhe kultivimi i bashkëjetesës, diversitetit dhe tolerancës në sistemin arsimor.
Konferenca është organizuar në kuadër të programit “Angazhimi për Barazi – E4E”, financuar nga USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe kishte për qëllim promovimin e paqes, tolerancës dhe mesazheve të bashkëjetesës.
Ditë më parë hulumtimi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) nxori se 70 për qind e qytetarëve e shohin ekstremizmin e dhunshëm si “rrezik i lartë”.
http://kallxo.com/kosovaret-e-shohin-ekstremizmin-e-dhunshem-si-rrezik-larte/