Bajrami: Më ka irrituar komenti i gazetarit Valon Syla

Mustafë Bajrami, teolog, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet rreth radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ka thënë se duhet të kritikohet diskursi nënçmues që e ka bërë gazetari Valon Syla.

Bajrami ka shtuar se Syla njihet për komente të tilla.

“Duhet të kritikohet ai diskurs nënçmues dhe ofendues ndaj parimeve të fesë islame, të cilave një numër i madh i qytetarëve të këtij vendi i besojnë. Personi në fjalë njihet botërisht me qasjen e tij nxitëse edhe politike nëpër shumë emisione” – ka thënë Bajrami.

Ai ka folur edhe për veturën për të cilën ka ironizuar Syla, e që ishte bërë shkak i sulmit ndaj tij.

“Personi në fjalë e ka deformuar një citat islamik që flet për pyetjet të cilat meleku ia shtron dikujt në natën e varrit. Kush është Zoti yt? Dhe ky pastaj e ka shtu që do ta pyesin filan hoxhën edhe cili është ‘Mercedesi’ yt apo cili është kerri që ti e do më së shumti?” – tha më tej Bajrami.

Ai ka shtuar që janë tre rrafshe në gjithë botën që janë shumë të ndjeshme: Çështja e fesë, familja dhe bindjet ideologjike.