Promovimi i librit ‘Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”. Foto: KALLXO.com.

Promovohet libri që dëshmon për gjenocidin e Serbisë në Kosovë

Akademik Arsim Bajrami ka promovuar sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës  librin “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”.

Ekspertë të së drejtës penale dhe historianë thanë gjatë këtij promovimi se në 620 faqe ky libër dëshmon mbi gjenocidin që Serbia ka kryer ndaj popullit shqiptar në Kosovë, bazuar në Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara -OKB-së mbi gjenocidin të miratuar në viti 1948.

Akademikja Gjyljeta Mushkolaj tha se qëllimi i librit ësht që brezat që vijnë  të kenë përgjegjësi që t’i përcjellin kujtimet e viktimave dhe të të mbijetuarve të gjenocidit serb dhe që Serbia  të mbahet përgjegjës para faktorit ndërkombëtar.

Ndërsa, akademik Jusuf Bajraktari tha se libri “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë” dokumenton në mënyrë shkencore për gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Libri paraqet një studim profesional dhe shkencor ku autori bënë analizën e krimeve të kryera në Kosovës, sidomos gjatë luftës 1998-99, dhe duke i kualifikuar këto krime si akte të  gjenocidit në pajtim me Konventën e OKB-së për gjenocidin”- tha ai.

Eksperti i së drejtës, Ismet Salihu, tha gjatë fjalës së tij se ky libër paraqet rëndësi të  veçantë në aspektin juridik penal, historiko-kushtetues, por edhe në aspektin e historisë kombëtare.

Salihu kritikoi institucionet për mbylljen e Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Luftës.

Për librin ka folur edhe studiuesi Agim Zogaj. Ai tha se në libër është trajtuar edhe themelimi i gjykatës speciale dhe ngritja e aktakuzave ndaj krerëve të UÇK-së.

“Dick Marty duhet të ndiqet penalisht nga gjyqësia e Kosovë”-tha ai.

Kurse akademik Arsim Bajrami, autori i librit, tha është e rëndësishme që ASHAK të ketë një libër, ku në aspektin juridik argumentohet gjenocidi, që sipas Konventës së OKB-së, e ka kryer Serbia në Kosovë.

 

Promovimi i librit ‘Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”. Foto: KALLXO.com.