A ka konflikt mes komunitetit islam në Kosovë?

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po diskutohet rreth ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com, ka thënë se në Kosovë konflikti nuk bëhet për lirinë e fjalës dhe atë të shprehjes por, sipas tij, konflikti ekziston për dominim të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Për këtë ai e ka marrë shembull incidentin që ka ndodhur në komunën e Podujevës, ku imami i caktuar nga BIK-u ka shkuar në xhaminë e fshatit për kryerjen e riteve fetare, e katër persona e kanë penguar atë, kurse njëri nga ta edhe e ka sulmuar.

“Kemi konflikt për dominim të pasurisë së BIK-ut, e të xhematit të tij. Dhe ky është pikërisht elementi që ne duhet ta diskutojmë: a ka konflikt mes komunitetit islam në Kosovë për dominim, se kush po i dominon rrymat, kush po i qeveris xhamitë e kush po qeveris me BIK-un’’ – tha Gashi.

Sipas tij, janë disa imamë që janë më radikalë e të cilët po dëshirojnë xhamia e territor të vetin.

“Po dojnë qeverisje, po dojnë pushtet, pra edhe BIK-u nuk ka mbërri ende me qenë aq i fortë, aq i strukturuar sa me u përballë me ta” – tha më tej ai.

Asdren Bytyqi, avokat, ka thënë se askush nuk ka të drejtë që në emër të lirisë së shprehjes ta fyejë askënd apo ta tallë.

“Unë nuk i di motivet e atyre që e kanë sulmuar gazetarin Valon Syla por që ai nuk ka pasur të drejtë t’i talllë apo ata që e kanë sulmuar të ndihen të fyer nga talljet e vazhdueshme të një gazetari’’ – ka thënë Bytyqi.

Ndryshe, të martën është sulmuar gazetari Valon Syla nga tre persona në lagjen ‘Bregu i Diellit’. Të dyshuarit u arrestuan të nesërmen.

https://kallxo.com/lajm/gazetari-valon-syla-rrefen-se-si-ndodhi-sulmi-ndaj-tij/