Foto: RTV 21

Cilët janë faktorët e rënies në renditjen e PISA-s?

Përkeqësimi i rezultateve në njohuritë bazike të nxënësve kosovarë në testin PISA të vitit 2022, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik rreth cilësisë së arsimit në Kosovë, ndonëse vlerësimi konsiderohet të jetë i pritshëm.

Kosova ka shënuar rënie në renditjen e testit PISA, që mat aftësitë e nxënësve në lexim, shkencë e matematikë.

Testimi realizohet me nxënës 15-vjeçarë nga 80 vende të ndryshme, organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Ndërkaq, njohës të fushës së arsimit në Kosovë, për këtë gjendje thonë se disa nga faktorët janë të mësuarit mekanik, mos prioritizimit të arsimit e mungesa e llogaridhënies.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se disa nga faktorët për rezultatet janë politikat, tekstete  infrastruktura shkollore.

Shkaktar kyç për këto rezultate sipas ish-ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), janë mungesa e prioritizimit të arsimit, ndarja e buxhetit për ndërtim e infrastrukturë, guximi i Kosovës për të marr pjesë në një test si PISA.

Kurse, nga eksperti i arsimit dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci lind dëshira që rezultatet të kishin qenë të nivelit të atyre të vitit 2018 dhe po ashtu lind dyshimi se edhe po të mos kishte qenë pandemia a do të kishte pasur përmirësim në sistemin e arsimit në Kosovë.

Në anën tjetër, eksperti i arsimit nga Insitituti ‘EdGuard’ Rinor Qehaja, konsideron se të mësuarit mekanik në Kosovë nuk mund të prodhojë nxënës që kanë zotësi t’u përgjigjen pyetjeve të testit siç është PISA.

“Kur një komb sheh vetën në pasqyrë ku janë fëmijët tanë tronditet komplet shteti dhe te ne kjo asgjë, kjo kalon një ditë dy, komentohen një ditë dy edhe s’ka asnjë reflektim shtetëror, s’ka asnjë ndërrim të prioriteteve” – ka folur për vlerësimin e PISA-s ish-ministri Arsim Bajrami. 

Për Bajramin këto rezultate tregojnë se shteti i Kosovës asnjëherë nuk e ka vendosur si çështje prioritare fushën e arsimit, ani pse në fushata zgjedhore të gjitha partitë politike kanë pasur vendime për arsim, mirëpo me ardhjen e tyre në pushtet janë lënë anash reformat në arsim dhe prioritare kanë qenë rindërtimi dhe ndërtimi i rrugëve.

Për dallim nga ministrja Nagavci, e cila në konferencën për media të martën përmendi pandeminë dhe ndërrimin e qeverisë si faktorë që kanë ndikuar në këto rezultate, Bajrami nuk i sheh të arsyeshëm këta faktorë.

Sipas tij, pandemia ka krijuar një situatë të mbylljes, por edhe kohë shtesë për nxënësit që të koncentrohen në mësim. Ndërsa, nga ndërrimi i qeverive arsimi duhet të mbrohet dhe të mos ndikohet.

“Në qoftë se sa herë ndërrohen qeveritë, goditet arsimi, kjo s’është e vërtetë, sepse nuk është në duar të një ministre arsimi. Ministri ka një rol të rëndësishëm, se është i pari i ministrisë, po absolutisht është aq fushë e gjerë që ndërrimi i qeverisë dhe i ministrave nuk duhet të ketë një ndikim shumë të madh”, është shprehur Bajrami.

Bajrami konsideron se shtetet si Gjermania dhe Anglia ani pse kanë dalë keq në matematikë e shkrim-lexim, ato pas pranimit të rezultateve kanë programe kombëtare me të cilat e rimëkëmbin arsimin dhe e gjithë përgjegjësia i takon shtetit.

“Te ne praktikisht gjithmonë kjo mbetet në duart e Ministrisë së Arsimit e cila nuk ka kapacitete e vetme të ndërtojë një sistem arsimor, sepse një gjë e tillë duhet të jetë objektive e komplet qeverisë, e cilido kryeministër që pretendon të ndërtojë një sistem efikas arsimor”, ka thënë Bajrami për KALLXO.com.

Megjithëse procedurat për pjesëmarrje të Kosovës në PISA kishin nisur nga viti 2014, në kohën kur kishte qenë në krye të Ministrisë së Arsimit vet Bajrami mendon se prej fillimit nuk është dashur të aplikohet për tu testuar në këtë sistem, sepse nuk e konsideron arritje për Kosovën por për shtetet e forta.

”Unë atëherë kur isha ministër, kur dulën rezultatet kanë qenë shumë më të mira se këto, kam kërku mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit, edhe është mbajt mbledhja e jashtëzakonshme edhe kam kërku që të reflektojmë si shtet, si shoqëri dhe kam kërku që të ndërrohen prioritetet që arsimi të dalë prioriteti numër një dhe në ndarje të buxhetit pozicioni i arsimit të jetë numër një, d.m.th më së shumëti të holla të ndahen jo për të ndërtuar godina, sepse kemi shkolla të zbrazta sot”, i ka kujtuar Bajrami rezultatet e Kosovës në PISA 2015.

Por ndryshe mendon eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci. Për Pupovcin këto rezultate kanë qenë të pritshme, pasi kjo gjeneratë e nxënësve është përballur me çrregullime serioze në procesin mësimor në kohën e pandemisë, nga marsi i vitit 2020 deri në marsin e vitit 2022.

“Prej vitit 2018 kur është mbajt PISA e kaluar deri në vitin 2022 kur është mbajt kjo PISA, nuk ka pas ndonjë lëvizje në drejtim të përmirësimit të gjendjes së arsimit. Gjatë asaj periudhe janë ndërruar 4 ministra në Ministri të Arsimit dhe e dyta, kemi pasur dy vjet pandemi” ka deklaruar Pupovci për KALLXO.com.

Sipas Pupovcit, brenga kryesore nuk duhet të jetë rënia e rezultateve krahasuar me vitin 2018 apo 2015.

“Brenga kryesore duhet të jetë që ne nuk po përmirësohemi, d.m.th unë nuk jam i sigurt edhe po të mos kishte qenë pandemia se do të kishte pasur përmirësim në sistemin tonë të arsimit” ka thënë ai.

Për tu përmirësuar Pupovci ka përmendur disa prej veprimeve që duhet t’i ndërmarrë MASHTI, duke filluar nga ndërtimi i një sistemi të mirëfillt të llogaridhënies dhe përgjegjësisë për rezultatet jo të kënaqshme të nxënësve.

“Ne nuk kemi rezultate kredibile nëse në testet tona kombëtare, siç janë provim i maturës, testi i arritshmërisë, bëhen kopjime masive, atëherë do të kemi rezultate pikërisht të cilat i bindin nxënësit se ata mund të arrijnë sukses edhe pa punuar”, ka shtuar Pupovci.

Një veprim tjetër është inspektimi i shkollave, i cili sipas Pupovcit është vetëm administrativ dhe bëhet vetëm në rastet kur ka ndonjë problem, konflikt brenda shkollave.

“Kjo duhet të realizohet dhe është pjesë e strategjisë duke shtuar numrin e inspektorëve, në mënyrë që shkollat ta dijnë se janë të mbikqyruara, por nuk duhet të jetë vetëm kjo qasje kontrolluese ose punitive siç mund të nënkuptohet, mësimdhënësit edhe duhet të mbështeten në punën e tyre, pra ata kanë nevojë për këshilla profesionale, mjete mësimore”, ka propozuar Pupovci.

Ai gjithashtu i këshillon edhe prindërit, që t’u lexojnë fëmijëve të tyre nga mosha parashkollore, t’ua mbjellin atyre dashurinë për librinë, jo dashurinë për telefonin celular.

Se duhet të mbështeten mësimdhënësit për metodologji të mësimdhënies, të kenë mjete mësimore dhe të nxitet llogaridhënie, njëjtë mendon edhe eksperti tjetër i arsimit nga Instituti EdGuard, Rinor Qehaja.

“Të mësuarit mekanik në shkollat tona nuk mund të prodhojë nxënës që kanë zotësi t’u përgjigjen pyetjeve të një testimi të standardizuar që mat të kundërtën e asaj që këta nxënës pa fajin e tyre janë ekspozuar përgjatë shkollimit të tyre”, është përgjigjur Qehaja për KALLXO.com.

Sipas Qehajës, PISA është dëshmi valide e cilësisë së vërtetë të mësim nxënies në shkollat tona dhe se mes shumë jo të mirave mungesa e llogaridhënies, zhvillimit profesional të mësimdhënësve e kanë dërguar Kosovën në këto rezultate.

“Pandemia nuk mund të ketë ndikim në rezultat. PISA nuk e kufizon matjen në një periudhë, por aftësinë e nxënësve 15-të vjeçar për të përdorur njohuritë e tyre të akumuluara nga shkollimi i tyre në zgjidhje të pyetjeve nga jeta e përditshme”, ka vlerësuar Qehaja.

Testi PISA 2022 është mbajur nga data 25 prill deri më 20 maj të vitit 2022 dhe janë testuar 6027 nxënës 15-vjeçar, nga 229 shkolla.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 355 pikë. Në lexim, Kosova është në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 342 pikë. Në shkencë, Kosova është në vendin e 77, me 357 pikë. Në matematikë dhe lexim, Kosova ka 11 pikë më pak se në vitin 2018, ndërsa në shkencë i ka 8 pikë më pak.

Në vitin 2018, Kosova është ranguar e treta nga fundi i listës së rezultateve, nga 79 shtete pjesëmarrëse. Me 353 pikë në lexim, 366 pikë në matematikë dhe 365 pikë në shkencë.

Kurse, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte 347 pikë, në matematikë 362 dhe në shkencë 378 pikë.