Pse frikësohen imamët nga diskutimi për babadimrin?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për rastin e mësueses në xhaminë në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, e cila ka kërkuar nga nxënësit të shkruajnë një ese kundër festimit të Vitit të Ri, si dhe rastin në Han të Elezit, ku në oborrin e Komunës është djegur bredhi i festave të fundvitit.

Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, ka thënë se rasti i xhamisë në Prishtinë tregon si tentohet që mesazhi të jetë vetëm njëdrejtimësh.

Ai ka shtuar se arsyeja që ai mendon që njerëzit u ikin debateve të tillë është pikërisht mendimi kritik, pra kur ka pro dhe kundër.

“Këtë e shohim edhe prej detyrës që nxënësit në xhaminë në ‘Mati 1’ në Prishtinë e kanë pasur. Ata nuk kanë pasur pse duhet dhe pse s’duhet të festohet Viti i Ri, por ata kishin detyrë me argumentu pse s’duhet të festohet kjo festë” – thotë Gashi.

Tutje ai ka thënë se mësuesja që e kishte dhënë këtë detyrë nuk u ka dhënë literaturë tjetër fëmijëve pos asaj se si nuk duhet të festohet kjo festë.

“Me atë literaturë u ka thënë t’i bindin të tjerët se pse nuk duhet të festohet Viti i Ri. Nuk u ka dhënë asnjë mendim tjetër, qoftë të dijetarëve islamë apo hoxhallarëve, qoftë klerit islam pse duhet apo ndonjë gjë tjetër, por vetëm ka dashur t’i dërgojë fëmijët në një drejtim. Pra në drejtimin radikal që diçka është vetëm zi nuk bëhet bardh” – ka thënë tutje Gashi.

“Duke qenë pra debati i tillë njerëzit nuk dëshirojnë të ulen dhe të diskutojnë pro dhe kundër, me i pa pra hoxhallarët që janë pro dhe cilët janë kundër, ata që janë në mes dhe ata të cilët dëshirojnë të thonë hapur që kjo festë nuk duhet festuar edhe me mbërri në një konsensus që mund të diskutojmë rreth kësaj teme por s’kemi nevojë me prodhu dhunë” – ka thënë tutje Gashi.

Gashi gjithashtu ka thënë se detyra për nxënësit ka qenë shumë e qartë dhe përfundimin e ka të përcaktuar në fillim.

“Elementi tjetër është gjuha fyese që përdoret për njerëzit që dalin pro dhe kundër kësaj teme, ofendimet që përdoren në internet, mendoj që e shmangin një debat konstruktiv për një temë të tillë”, – ka shtuar ai.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ku ka thënë se është distancuar nga aktiviteti që u zhvillua në një xhami në Prishtinë, më 31 dhjetor, kur fëmijëve u ishte dhënë detyrë të mendonin për mënyra se si t’i bindin prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri.

Për këtë aktivitet, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës ka thënë se do ta intervistojë imamin e xhamisë “Mati 1”, Fadil Musliun.

https://kallxo.com/lajm/bik-detyra-per-femije-kunder-festimit-te-vitit-te-ri-gabim-qe-nuk-duhet-perseritur/