Zbulohen emrat e të dyshuarve në rastin e sulmit ndaj gardianit

Valon Morina, Burim Strumcaku, Mërgim Hoxha dhe Erza Isufi janë katër të arrestuarit në lidhje me rastin e sulmit fizik dhe kërcënimeve ndaj gardianit Shkëlzen Ismajlit.

KALLXO.com mëson se të njëjtit janë arrestuar vetëm pak kohë pasi dyshohet se kanë rrahur gardianin Ismajli në parkingun e një lokali ku shërbehet ushqim.

Ende nuk është e qartë se cili ishte roli i gruas që u arrestua në këtë rast, ndërsa në një rrëfim për KALLXO.com, gardiani Shkëlzen Ismajli tha se në rrahje kanë marrë pjesë tre të dyshuarit burra.

Madje ai pretendon se rasti lidhet me një të mëparshëm, të cilin e kishte raportuar gardiani.

Në anën tjetër KALLXO.com mëson se dy nga të dyshuarit, Valon Morina e Burim Strumcaku edhe më parë kishin probleme me ligjin.

Në shkurt të vitit 2023, Policia kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për të kapur dhe arrestuar Morinën dhe Strumçakun.

Kjo pasi që në atë kohë Morina kërkohej si i dyshuar për privim të kundërligjshëm nga liria, lëndim të lehtë trupor, dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë, ndërsa Strumcakun, si i dyshuar për veprën penale – privim i kundërligjshëm nga liria.

Në anën tjetër në rrëfimin për KALLXO.com, gardiani Ismajli përmendi faktin se i dyshuari tjetër Mërgim Hoxha pak më parë kishte dalë nga burgu deri sa ishte duke vuajtur dënim.

Gardiani Shkelzen Ismajli rrëfeu se si kishte ndodhur ngjarja deri sa thotë se u kërcënua edhe me armën e tij zyrtare e cila iu kishte marrë nga ana e të dyshuarve.

“Te pompa e derivateve aty te K….. që është që është rruga për Mitrovicë me shku. Aty është “K…. B”, aty jemi ndalë me hangër bukë me këtë shokun edhe kah dalim nga aty, ata kanë qenë me kerr të parkuar, a kanë qenë të parkuar saktësisht nuk po mundem me kujtu, se tani kam pasë sulm dhe pastaj s’kam memorie. Edhe më ka thanë, qele xhamin dhe unë e kam qel xhamin, tha a po më njeh, thash jo, tha e këtë mbrapa a po e njeh, thash valla jo, thash s’po doket bash mirë se xhami i kerrit ish kanë i zi edhe ia bani këtij, qele xhamin, ai e qeli xhamin krejt edhe tha qysh more nuk po m’njeh, ti shpihun- kështu e rrëfen bisedën e parë me personat e dyshuar, Ismajli.

Gardiani tha se i dyshuari i kishte treguar se kishte qenë në Burgun e Sigurisë së Lartë ndërsa i ishte drejtuar me fjalët ‘shpihun’ për shkak të rastit që kishte raportuar për kolegun e tij.

“Tha unë kam qenë në Burg të Sigurisë së Lartë, tha e kam vuajtur dënimin, tha qysh e ke qitë ti kolegun nga puna, thash nuk e kam qitë unë, por e ka qitë veten thash, sepse unë e kam nxanë me drogë. Nuk e di a jeni në ngjarje ju, i kam nxanë kolegët me drogë”- shton Ismajli.

Tutje ai sqaron se në një rast të bastisjeve që ka ndodhur brenda sistemit të burgjeve, kishte arritur që të kapte një koleg të tij me drogë gjë që më pas e kishte raportuar edhe menaxhmentin dhe kishin nisur procedurat ndaj tij.

Ai thotë se nga tre të dyshuarit kishte arritur që të identifikonte dhe ta njihte vetëm M.H., pasi ka qenë në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Edhe ma bani ti nuk na ke ndihmu sen, tha ti e ke qitë kolegun tand, nuk e meriton me kanë gjallë edhe thash në rregull, tha nejse, nejse ti je shpihun, nuk vyen gjë edhe u mbështet në karrige dhe thash ta dhezi kerrin dhe të eci, mos të bëhet më e madhe kjo punë. E kam shti çelësin në kerr, me dhezë kerrin me dalë nga pompa dhe kur u çu ai shoku i tij. Thash po do me marrë ndonjë pije, se nuk e prita që po vjen te unë, edhe më ka ra grusht në fytyrë dhe m’i ka dhanë nja dy- tre grushta dhe ky ka dalë përmas në karrige dhe më kanë majtë për fyti, i kam edhe shenjat në fytyrë, më kanë mbajtur për fyti dhe ky që ke, që më ra në karrige të shoferit, ky më sillke, e ai më mbajke, ndërsa ky tjetri në anën tjetër, ky më mbajke, më shtyjke për karrige, që mos me mujtë me lëviz unë, dhe më pas ma ka mshu edhe ai, dy tre grushta”- vazhdon rrëfimin për KALLXO.com, Ismajli.

Nga këto sulme me grushte Ismajli thotë se ka marrë lëndime në pjesën e fytyrës e qafës.

“Fytyrës ma së shumti kam pasë goditje. Ashtu njerëz nuk ka pasur, ka qenë veç ai djali që kam qenë në kerr, po nuk ka mujtë me pa, nuk ka mujtë me ndërhy me më ndimu kurrgjë se ai ka qenë në karrige ulun. S’ka mujtë me bo lëvizje kurrfarë me më ndihmu kurrgjë”- shpjegon tutje rastin dhe tregon që shoku i tij nuk pati mundësi të veproj asgjë karshi të dyshuarve.

Por pas sulmit me grushte, Ismajli thotë se edhe u kërcënua me armën e tij zyrtare pasi ia morën të dyshuarit nga brezi.

“Tu dashtë me më liru, kështu u vërejt që u shlirova pak sepse më mbajtën për karrige dhe ka bërtitur qeky M.H., tha kontrolloje, kontrolloje tha se këta i kanë armët me leje, edhe e kanë vendos dorën me më kontrollu nëpër bel, a e kam armën dhe më kanë kontrolluar, unë jam largu pak, jam shtrembëruar, që mos me prek armën, që me ma marrë dhe e kanë hetu armën dhe kanë bërtit, armën e ka edhe ma kanë hek prej shoke” – tregon tutje gardiani.

Sipas tij arma është mbajtur nga të dyshuarit rreth 3 minuta e drejtuar ndërsa më pas ia kanë kthyer pas.

“Ma kanë drejtuar armën dhe më tha… më kanë sha edhe më kanë thanë a e din që të vrajmë, ma kanë mbajtë 2-3 minuta armën dhe i kam thanë gjuaj se pesë pare nuk i dha edhe e ka heq karikatorin e ka raportit armën 5-6 herë, ashtu trak- trak- trak edhe ma ka bo këqyre, koka qeky shoku yt djalë i mirë tha, se kurrë s’ta kishim dhanë armën, tha u sill mirë ky, nime ai nuk mujti kurrgjë me ba, asnjë fjalë s’ka mujt me fol, asnjë fjalë se kujtoj prej tij edhe e kanë gjuajt armën në karrige aty dhe e kam marrë armën e kam shti në shokë dhe jam largu nga pompa dhe e kam thirrë policinë” – vazhdon rrëfimin ai.

Sipas tij nuk e di saktësisht se cilat mund të jenë lidhjet e të burgosurit me gardianin që kishte raportuar për drogë.

 

VIDEO – Rrëfimi i gardianit që u sulmua, pretendon se në rrahje u përfshi edhe një ish i burgosur