VIDEO – Rrëfimi i gardianit që u sulmua, pretendon se në rrahje u përfshi edhe një ish i burgosur

Shkelzen Ismajli, i cili punon si gardian në Shërbimin Korrektues, tashmë ka iniciuar rast në Policinë e Kosovës për sulm ndaj tij nga tre persona të dyshuar, ndonëse rasti thotë se kishte ndodhur jashtë orarit të tij të punës.

Dyshimet ai i ka ngritur në tre persona të dyshuar, për njërin prej të dyshuarve thotë se tash së fundmi ka kryer edhe një dënim në burgin e sigurisë së lartë.

Në një bisedë me KALLXO.com, gardiani Shkelzen Ismajli rrëfeu se si kishte ndodhur ngjarja deri sa thotë se u kërcënua edhe me armën e tij zyrtare e cila iu kishte marrë nga ana e të dyshuarve.

Ismajli në bisedën me KALLXO.com të cilën e ka realizuar më 09.04.2024, thotë se ishte bashkë me një shok të tij në një lokal i cili ofron ushqim dhe aty kishte nisur ngjarja.

“Te pompa e derivateve aty te K….. që është që është rruga për Mitrovicë me shku. Aty është “K…. B”, aty jemi ndalë me hangër bukë me këtë shokun edhe kah dalim nga aty, ata kanë qenë me kerr të parkuar, a kanë qenë të parkuar saktësisht nuk po mundem me kujtu, se tani kam pasë sulm dhe pastaj s’kam memorie. Edhe më ka thanë, qele xhamin dhe unë e kam qel xhamin, tha a po më njeh, thash jo, tha e këtë mbrapa a po e njeh, thash valla jo, thash s’po doket bash mirë se xhami i kerrit ish kanë i zi edhe ia bani këtij, qele xhamin, ai e qeli xhamin krejt edhe tha qysh more nuk po m’njeh, ti shpihun- kështu e rrëfen bisedën e parë me personat e dyshuar, Ismajli.

Gardiani tha se i dyshuari i kishte treguar se kishte qenë në Burgun e Sigurisë së Lartë ndërsa i ishte drejtuar me fjalët ‘shpihun’ për shkak të rastit që kishte raportuar për kolegun e tij.

“Tha unë kam qenë në Burg të Sigurisë së Lartë, tha e kam vuajtur dënimin, tha qysh e ke qitë ti kolegun nga puna, thash nuk e kam qitë unë, por e ka qitë veten thash, sepse unë e kam nxanë me drogë. Nuk e di a jeni në ngjarje ju, i kam nxanë kolegët me drogë”- shton Ismajli.

Tutje ai sqaron se në një rast të bastisjeve që ka ndodhur brenda sistemit të burgjeve, kishte arritur që të kapte një koleg të tij me drogë gjë që më pas e kishte raportuar edhe menaxhmentin dhe kishin nisur procedurat ndaj tij.

Ai thotë se nga tre të dyshuarit kishte arritur që të identifikonte dhe ta njihte vetëm M.H., pasi ka qenë në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Sipas tij nuk e di saktësisht se cilat mund të jenë lidhjet e të burgosurit me gardianin që kishte raportuar për drogë.

“Edhe ma bani ti nuk na ke ndihmu sen, tha ti e ke qitë kolegun tand, nuk e meriton me kanë gjallë edhe thash në rregull, tha nejse, nejse ti je shpihun, nuk vyen gjë edhe u mbështet në karrige dhe thash ta dhezi kerrin dhe të eci, mos të bëhet më e madhe kjo punë. E kam shti çelësin në kerr, me dhezë kerrin me dalë nga pompa dhe kur u çu ai shoku i tij. Thash po do me marrë ndonjë pije, se nuk e prita që po vjen te unë, edhe më ka ra grusht në fytyrë dhe m’i ka dhanë nja dy- tre grushta dhe ky ka dalë përmas në karrige dhe më kanë majtë për fyti, i kam edhe shenjat në fytyrë, më kanë mbajtur për fyti dhe ky që ke, që më ra në karrige të shoferit, ky më sillke, e ai më mbajke, ndërsa ky tjetri në anën tjetër, ky më mbajke, më shtyjke për karrige, që mos me mujtë me lëviz unë, dhe më pas ma ka mshu edhe ai, dy tre grushta”- vazhdon rrëfimin për KALLXO.com, Ismajli.

Nga këto sulme me grushte Ismajli thotë se ka marrë lëndime në pjesën e fytyrës e qafës.

“Fytyrës ma së shumti kam pasë goditje. Ashtu njerëz nuk ka pasur, ka qenë veç ai djali që kam qenë në kerr, po nuk ka mujtë me pa, nuk ka mujtë me ndërhy me më ndimu kurrgjë se ai ka qenë në karrige ulun. S’ka mujtë me bo lëvizje kurrfarë me më ndihmu kurrgjë”- shpjegon tutje rastin dhe tregon që shoku i tij nuk pati mundësi të veproj asgjë karshi të dyshuarve.

Por pas sulmit me grushte, Ismajli thotë se edhe u kërcënua me armën e tij zyrtare pasi ia morën të dyshuarit nga brezi.

“Tu dashtë me më liru, kështu u vërejt që u shlirova pak sepse më mbajtën për karrige dhe ka bërtitur qeky M.H., tha kontrolloje, kontrolloje tha se këta i kanë armët me leje, edhe e kanë vendos dorën me më kontrollu nëpër bel, a e kam armën dhe më kanë kontrolluar, unë jam largu pak, jam shtrembëruar, që mos me prek armën, që me ma marrë dhe e kanë hetu armën dhe kanë bërtit, armën e ka edhe ma kanë hek prej shoke” – tregon tutje gardiani.

Sipas tij arma është mbajtur nga të dyshuarit rreth 3 minuta e drejtuar ndërsa më pas ia kanë kthyer pas.

“Ma kanë drejtuar armën dhe më tha… më kanë sha edhe më kanë thanë a e din që të vrajmë, ma kanë mbajtë 2-3 minuta armën dhe i kam thanë gjuaj se pesë pare nuk i dha edhe e ka heq karikatorin e ka raportit armën 5-6 herë, ashtu trak- trak- trak edhe ma ka bo këqyre, koka qeky shoku yt djalë i mirë tha, se kurrë s’ta kishim dhanë armën, tha u sill mirë ky, nime ai nuk mujti kurrgjë me ba, asnjë fjalë s’ka mujt me fol, asnjë fjalë se kujtoj prej tij edhe e kanë gjuajt armën në karrige aty dhe e kam marrë armën e kam shti në shokë dhe jam largu nga pompa dhe e kam thirrë policinë” – vazhdon rrëfimin ai.

Pasi të dyshuarit siç pretendon Ismajli janë larguar nga vendi i ngjarjes, ai është lajmëruar edhe policia e cila kishte shkuar aty.

“Kanë ardhë policia menjëherë tre katër minuta dhe kanë ardhë një numër i madh i policisë dhe më pyetën ku ka ndodhur ngjarja, thash këtu, më thanë a e ke pa ka kanë shkuar, thash po më duket këtej dhe kemi shkuar drejtë dhe i kemi pa ishin kanë hyp me një lokal atje edhe pastaj ju kanë shku policia dhe i kanë arrestu të tre menjëherë”- shpjegon ai.

Ai i kishte parë deri sa ishin larguar të dyshuarit dhe më pas informacionet i kishte ndarë me policinë, gjë që më pas rezultoi me arrestimin e të tre të dyshuarve që ai përmend gjatë rrëfimit.

E për gruan e cila është përmendur edhe në raportin e policisë, ai thotë se nuk ishte pjesë e ngjarjes.

“Vallahi nuk ka pas gru qaty ku ka ndodhur rrahja, nuk ka pas aty, as nuk ka pasur femër të përfshirë as kurrgjë” – thotë ai.

Në raportin ditor të policisë thuhet se ngjarja është regjistruar në orët e hershme të mëngjesit të datës 08.04.2024.

“Rr. Ahmet Krasniqi, Prishtinë / 08.04.2024 – 03:20. Janë arrestuar katër të dyshuar, tre meshkuj dhe një femër kosovarë, pasi që në bashkëveprim e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar (punëtor i burgut). Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin ditor të policisë të dërguar te mediat më 09.04.2024.

KALLXO.com mëson se të arrestuarit janë M.H., nga Skenderaj, V.M., Çikativë, B.S., nga Skenderaj dhe E.I.

Për dy nga të dyshuarit kishte raportuar KALLXO.com gjatë vitit 2023 se ishin kërkuar nga ana e Policisë së Kosovës nën dyshimin për privim të kundërligjshëm të lirisë, lëndim të lehtë trupor dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Katër të arrestuar, dyshohet se rrahën një punëtor të burgut