Votimi pro Kosovës në Strasburg, Krasniqi e falënderon në mënyrë të veçantë deputetin rumun

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka falënderuar të gjithë ata që me votën e tyre e shtynë përpara Kosovën drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Ai ka shprehur edhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë punuar me vite të tëra për këtë “sukses të rëndësishëm për vendin tonë”.

“Veçanërisht, e falënderoj mikun tim, Iulian Bulai, deputetin rumun, i cili si Kryetar në APKE i grupit të ALDE-s, anëtare e së cilit është edhe PDK, bashkë me deputetët e grupit tonë, ka kontribuar në çdo hap të këtij procesi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Tani, sipas tij, “me optimizëm, angazhim dhe lobim, presim votimin final të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet pas një muaji”.

Me mbi 2/3 të votave, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi më 16.04.2024 Raportin që i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Votimi i sotëm i hap rrugën votimit përfundimtar nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.