Uta Ibrahimi prezanton dokumentarin për ngjitjen në malet e Kosovës

Alpinistja Uta Ibrahimi ka prezantuar dokumentarin “Uta-Ngjitja për Kosovën”, një film i cili dëshmon mbi rrugëtimin dhe sfidat e ngjitjes së saj drejt realizimit të ëndrrës si alpiniste.

Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se këtë film e prezanton në Ditën Ndërkombëtare të Maleve.

“Ky film lundroi thellë në përvojat e mia të fëmijërisë gjatë luftës në Kosovë dhe arriti ta sintetizoi gjithë kujtimin e veprimtarinë në aktin tim final. E gjithë kjo çon në udhëtimin tim për ta sjellë flamurin e Kosovës në majën e botës – Everest”- ka shkruar Uta Ibrahimi.

Ajo ka thënë se film do të frymëzojë të rinjtë për të ndjekur ëndrrat e tyre.

“Përtej shfaqjes së ngjitjes sime personale, dokumentari hedh dritë mbi punën e palodhur që kam bërë në Kosovë, duke u përpjekur të frymëzojë të rinjtë që të ndjekin ëndrrat e tyre, pavarësisht sfidave me të cilat përballen. Kjo nuk është vetëm një histori ngjitjeje malore; ka të bëjë me tejkalimin e fatkeqësive, gjetjen e forcës në rrënjët e dikujt dhe nxitjen e një shpirti vendosmërie tek gjeneratat e ardhshme. Bashkohuni me mua në këtë udhëtim, duke eksploruar majat e triumfeve personale dhe luginat e betejave të përbashkëta”- ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo ka shkruar se film “Uta-Ngjitja për Kosovën” është një dëshmi e shpirtit të paepur njerëzor dhe besimit se çdo majë është e arritshme.

Ibrahimi u bë shqiptarja e parë e ngjitur në majën më të lartë në botë në Everest, pasi mbërriti aty më 22 maj të vitit 2017.

Everest është maja më e lartë në vargmalet e Himalajës dhe pika më e lartë mbidetare në botë. Ajo është e lartë 8.848 metra.

Uta Ibrahimi pushtoi majat e Himalajave