Nis shfaqja e filmit ‘Në kuadër të dashurisë’ në "Cineplexx", pritje madhështore për Luiz Ejllin në Prishtinë
Me ovacione e thirrje “Luiz, Luiz”, mijëra qytetarë kanë pritur sonte ardhjen e Luiz Ejllit në shfaqjen e filmit “Në kuadër të dashurisë”.
Premiera e filmit “Në kuadër të dashurisë”, me protagonistë kryesorë Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin, yjet e “Big Brother Vip Albania”, ka nisur të shfaqet nga sonte në kinemanë “Cineplexx” në “Albi Mall” në Prishtinë.
Një pritje befasuese ka përcjellë kastën e aktorëve të filmit nga fansat e Ejllit dhe Gixharit gjatë parakalimit në tepihun e kuq deri te kinemaja.
Protagonistët e filmit nuk fshehën gëzimin e tyre për pritjen, duke mos i kursyer edhe selfiet me fansat e shumtë.
Thirrjet “Luiz, Luiz”, e “Olta, Olta’ nuk kanë ndaluar as gjatë konferencës për media që u mbajt para shfaqjes së filmit.
Gjatë kësaj konferencës për media, kasta e aktorëve të filmit shfaqën përvojat gjatë realizimit të filmit.
Ejlli tha se falë përkushtimit dhe angazhimit të stafit realizues dhe kastës së artistëve, publiku do të mbetet i kënaqur nga filmi.
“Kemi punu bashkë, edhe jena lodhë dhe ajo çfarë po shohim, dihet se ia kemi arritë qëllimit dhe kjo falë punës së përbashkët të të gjithëve”- tha Ejlli.
Olta Gixhari tha se nuk ka qenë i lehtë angazhimi në një projekt të ri, siç është filmi “Në kuadër të dashurisë”.
“Gjithmonë ka vështirësi angazhimi në një projekt të ri, pasi gjithmonë duhet t’ia nisësh nga zeroja, kështu që edhe unë nuk e kisha shumë të thjeshtë”- tha ajo.
Ndërsa, aktori Ylber Bardhi tha se ndihet mirë me interesimin e treguar për filmin.
“Ne e kena pasë shumë vështirë, neve na ka kompleksu Luizi, po më vjen mirë që po shoh kaq shumë mikrofona në një eveniment kulturor”- tha Bardhi.
I përcjellë me skena komike, filmi “Në kuadër të dashurisë” rrëfen historinë e një çifti të martuar prej vitesh, i cili papritur vendos t’i japë fund lidhjes. Megjithatë, çifti ballafaqohet me implikimet e familjeve të tyre në këtë ndarje.
Filmi është prodhim i “Top Channel Films”, ndërsa luajnë: Ndriçim Xhepa, Sara Hoxha, Olta Gixhari, Luiz Ejlli, Ylber Bardhi, Luan Jaha, Olta Daku, Roerd Toçe, Besmir Bitraku, Zamira Kita, Sotiraq Bratko, Aleksander Grami, Eni Shehu, Dea Mishel Hoxha, Salsano Rrapi, Myzafer Zifla, Klodiana Keco, Koço Qendro.
Filmi ‘Në kuadër të dashurisë’ është dhënë premierë më 9 tetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ndërsa pritet të shfaqet edhe në Gjakovë, Selanik, në Maqedoni të Veriut dhe në vende të tjera europiane ku ka shqiptarë.