Portreti i Uta Ibrahimit pjesë e ekspozitës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork
Alpinistja kosovare me famë botërore, Uta Ibrahimi, është në mesin e 50 grave nga e gjithë bota të paraqitura në ekspozitën interaktive të artit rrugor të selisë së Kombeve të Bashkuara.
E nisur më 25 tetor, ekspozita fotografike “Paqja fillon me të” paraqet simbolikisht 50 portrete të grave ndërtuese të paqes në selinë e OKB-së në Nju Jork, për të nderuar kontributin e tyre jetik për gratë, paqen dhe sigurinë.
Përmes një komunikate, Departamenti i Kombeve të Bashkuara për Operacionet e Paqes, Departamenti i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Politike dhe Ndërtuese të Paqes, UN Women dhe Fondi i Iniciativës Elsie kanë shkruar për biografinë e alpinistes nga Kosova, Uta Ibrahimi.
“Për më tepër, si një kampione e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, Uta Ibrahimi mbron me zjarr iniciativa që promovojnë barazinë gjinore, fuqizimin e të rinjve dhe ruajtjen e mjedisit, duke forcuar më tej angazhimin e saj për të nxitur një të ardhme të qëndrueshme dhe të barabartë për Kosovën dhe më gjerë”- e kanë përshkruar alpinisten Uta Ibrahimi.
Alpinistja Uta Ibrahimi ka udhëhequr iniciativa të shumta mjedisore për ndërtimin e besimit në bashkëpunim me UNMIK-un.
“Projektet e saj kanë bashkuar fëmijë nga komunitete të ndryshme në Kosovë, duke ushqyer një vlerësim të thellë për natyrën dhe duke avokuar për ruajtjen e saj. Përmes këtyre projekteve, Uta ka nxitur me sukses lidhjet e besimit dhe miqësisë mes të rinjve, duke theksuar bukurinë dhe rëndësinë e përbashkët të maleve dhe peizazheve të bukura të Kosovës”- thuhet në komunikatë.
Ekspozita “Paqja fillon me të” u hap në ditën e Debatit të Hapur të Këshillit të Sigurimit mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me rastin e 23-vjetorit të Rezolutës 1325 të KS të OKB-së.
Alpinistja e njohur kosovare Uta Ibrahimi është edhe themeluese dhe drejtuese e fondacionit “UTALAYA”.
Në vitin 2017, Uta Ibrahimi u bë gruaja e parë shqiptare që u ngjit në Malin Everest (8,848 metra lartësi), majën më të lartë në botë.