Javën tjetër mbahet festivali kushtuar personave me aftësi të kufizuara

Edicioni i 4-të i festivalit kushtuar personave me aftësi të kufizuar, “Art Without Limit International Film Festival” do të zhvillohet nga 1 deri më 3 dhjetor 2023, në Kino Armata në Prishtinë.

Gjatë tri ditëve të festivali do të shfaqen 50 filma të zhanreve të ndryshme nga gjithë bota.

“Përveç 50 filmave të mrekullueshëm të cilët do të shfaqen për tre ditë rresht, programin tonë e pasurojnë edhe shumë persona me aftësi të kufizuara ku me performancat e tyre muzikore, dhe me video reportazhe të realizuara nga ‘Art Without Limit..’ kemi paraqitur sukseset e tyre që kanë bërë të thyejnë shumë barriera në shoqërinë tonë” – thuhet në njoftimin e festivali.

Po sipas njoftimit, festivali synon të transformojë narrativën rreth personave me aftësisë së kufizuar dhe të krijojë një platformë për mirëkuptim dhe pranim të ndërsjellë.

“Pika e veçantë e këtij edicioni të festivalit është anëtari i jurisë kryesore James Martin, aktori  protagonist i filmit “An Irish Goodbye” fitues i çmimit “Best Live Action Short Film”, 95 th Academy Awards – OSCAR 2023. “An Irish Goodbye” vitin e kaluar u shfaq në hapje të “Art Without Limit International Film Festival” dhe mori çmimin filmi më i mire fiction!” – thuhet në njoftim.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve që mbahet 03.12.2023, përkon me Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.