Pamje nga promovimi i monografisë. Foto: KALLXO.com.

Çeku: Abdurrahman Shala - regjisori i shfaqjes së parë në gjuhën shqipe në Kosovë

Abdurrahman Shala dha një kontribut të rëndësishëm në themelimin e skenës teatrore dhe filmike në Kosovë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. I rëndësishëm është kontributi i tij në themelimin e “Kosova Filmit”, shtëpisë filmike të Kosovës. Por edhe të dramës shqipe në Teatrin Popullor të asaj kohe, duke qenë edhe regjisori i parë në këtë teatër.

Kështu është thënë të martën mbrëma, më 23.04.2024, gjatë promovimit të monografisë “Abdurrahman Shala, mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë”, të autorit Visar Krusha, promovim që u mbajt në Mensën ‘Ramiz Sadiku” në Prishtinë.

Monografia përmbledh gjithë jetën dhe kontributin artistik të Abdurrahman Shalës për zhvillimin e filmit dhe teatrit në Kosovë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Hajrulla Çeku, tha gjatë promovimit se Abdurrahman Shala, ishte një prej nismëtarëve të themelimit të skenës teatrore dhe filmike në Kosovës.

“Shala, bashkë me kolegët e tij, ishte themeltar i dramës shqipe në Teatrin Kombëtar (Teatri Popullor, atëherë), bashkë me kolegët e tij luajtën për herë të parë në gjuhën shqipe dhe turke. Shala u bë regjisori i parë shqiptar në këtë teatër, madje duke sjellë në skenë edhe tekstin e parë shqip,  ‘Nuk martohem me pare’ të Murteza Pezës”- tha Çeku.

Ndërsa, Miranda Shala, familjare e Abdurrahman Shalës, duke folur për personalitetin e Shalës – “Lalkon” që sipas saj e quanin në familje, tha se ai ishte tip i ashpër në dukje, por i butë nga brenda.

“Porosia që ai na la neve ishte se kur e bën një punë, çfarëdo punë që është, bëje me zemër. Ai ishte një vizionar për zhvillimin e institucioneve të kulturës dhe një prej njerëzve që transformuan shoqërinë tonë”- tha Miranda Shala.

Ndërsa, autori i monografisë, Visar Krusha, tha se Shala ishte një personalitet i veçantë i filmit dhe teatrit.

Sipas tij, të gjitha profilet ku ka punuar Shala si aktor, regjisor filmi apo teatri, por edhe këngëtar, kishte një performancë të lartë. “Shala ishte një profesionist në rrugëtimin e tij. Ai ishte një personalitet i veçantë dhe pikëpamjet e tij për teatrin të paraqitura nëpër intervista, por edhe në këtë  monografi janë shumë moderne, shumë aktuale”- ka thënë Krusha.

Abdurrahman Shala u lind më 23.12.1922 në Vushtrri, ku edhe kreu shkollën fillore në gjuhën serbokroate. Pas vitit 1933, Shala vendoset në Shqipëri, fillimisht në Tiranë e më pas në Durrës, me familjen e tij. Pas vitit 1941, bashkë me familjen e tij kthehet në Prishtinë. Ishte pjesëmarrës i Luftës Nacionalçlirimtare. Shala ishte regjisor, aktor, skenarist e producent. Ai luajti në qindra role në film dhe teatër si, në shfaqjet: ‘’Personi i dyshimtë”, “Besa”, “Shërbëtori i dy zotnive”, ‘Nuk martohem me pare” (regjisor), “Hakmarrja”, ‘”Dervishi dhe vdekja”, etj., filma: “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, “Era dhe lisi”, “Kur pranvera vonohet”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Njeriu prej dheut”, “Proka”, etj.

Abdurrahman Shala ka vdekur më 09.03.1994.

Pamje nga promovimi i monografisë. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga promovimi i monografisë. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga promovimi i monografisë. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga promovimi i monografisë. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga promovimi i monografisë. Foto: KALLXO.com.