Të dyshuarit për sulmin ndaj Valon Sylës dalin para Gjykatës

Tre personat e arrestuar nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht gazetarin Valon Syla të martën në mbrëmjë, janë dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Për pak pritet që të nis edhe seanca e procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë në lidhje me sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

Të dyshuarit janë sjellë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nën përcjelljen edhe të policisë më konkretisht Njësive të Reagimit të Shpejtë.

Tre të dyshuarit, K. Hasani, O.Hasani e L.Dervishi do të ballafaqohen me dyshimet e prokurorisë në lidhje me sulmin fizik që ndodhi tri natë më parë ndaj gazetarit Syla.

Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe urrejtjes ndërsa ishin dërguar në mbajtje për 48 orë.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale ka kërkuar edhe masën e sigurisë konkretisht atë të paraburgimit për të dyshuarit.

Në anën tjetër ekipi i KALLXO.com që gjendet në hapësirat e pallatit të drejtësisë ka vërejtur se të dyshuarit janë sjellë me automjete të policisë para orës 9 e 30.

Tre të dyshuarit ishin arrestuar gati 24 orë pasi kishte ndodhur ngjarja. Ata ishin identifikuar ndërsa mbrëmjen e 12 prillit është bërë edhe arrestimi i tyre.

Ngjarja fillimisht ishte iniciuar si lëndim i lehtë trupor ndërsa tutje ishin përfshirë edhe Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe Prokuroria Speciale.

Duke shqyrtuar rastin, vepra penale ishte rikualifikuar në nxitje të urrejtjes apo përçarjes.

Prokuroria do të kërkojë masën e paraburgimit për të dyshuarit që sulmuan Valon Sylën

Sulmohet gazetari Valon Syla