Sot afati i fundit që ‘strukturat paralele’ ta lirojnë objektin në Mitrovicë të Veriut

Sot është afati të cilin ia ka dhënë Komuna e Mitrovicës së Veriut, ia ka dhënë strukturave paralele për të “liruar” objektin me ngjyrë të kuqe që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve.

Në këtë objekt është e vendosur Zyra për Fondin Pensional dhe tri institucione të tjera paralele serbe: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.

Kjo nën arsyetimin që ka inspektorati komunal se nga punëtorët nuk ka marrë dokumentet në bazë të të cilave institucionet e Serbisë shfrytëzojnë këtë objekt komunal.

Pra Inspektorati Komunal pretendonte se disa institucione paralele serbe po shfrytëzojnë objektet komunale e që nuk kanë të drejtë ta bëjnë atë.

Në raportin që më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, thuhej se zyrtarët serbë, kanë qenë të informuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe të paraqesin dokumente për shfrytëzimin e këtij objekti.

E në po të njëjtin raport kërkohej që të ‘lirohej’, ky objekt.

Lista serbe menjëherë doli me një reagim në të cilin tha se institucionet e Kosovës po tentojnë të marrin hapësirat e tyre.

Tri ditë më vonë, ishte Kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq i cili mori vendosi që të shtyhet afati për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve.

Ky ultimatum vlen deri sot.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron para ndërtesës në të cilën punojnë zyrtarë serbë e që presin që sot të marrin vendimin për lirimin e objektit.

Gjatë qëndrimit në këtë pikë ekipi i KALLXO.com ka parë edhe se gjendjen po e monitoron edhe KFOR e kohë pas kohe ka lëvizje edhe të karabinierëve italian.

Igor Simiqit të cilit i ka shkuar edhe vendimi për objektin në Lagjen e Boshnjakëve është drejtor i Shërbimit të Drejtorisë së Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, i cili operon nën sistemin serb paralel dhe gjendet pikërisht në objektin i cili është kërkuar që të lirohet.

KALLXO.com ka tentuar që të flas me kryetarin e Mitrovicës dë veriut Erden Atiq në lidhje me ultimatumin por deri në publikim të artikullit ka qenë i paqasshëm.

As nënkryetari i Komunës Nexhat Ugljani nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.