SHBA dhe Irani janë shumë afër rrezikut të një konfrontimi në Lindjen e Mesme

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit është zgjeruar përtej kufijve të tij duke përfshirë vende të tjera në Lindjen e Mesme. Ekziston një mundësi në rritje për një përballje midis fuqive rajonale dhe globale, SHBA-së dhe Iranit.

Në të gjithë rajonin, dhuna ka konsistuar kryesisht në sulme hakmarrëse midis milicive të mbështetura nga Irani dhe SHBA-së, Izraelit dhe aleatëve të tyre. Megjithatë, përfshirja e drejtpërdrejtë e kohëve të fundit si nga Irani ashtu edhe nga SHBA ka ngritur shqetësime se ky konflikt mund të përshkallëzohet në një konfrontim të drejtpërdrejtë.

Deri më tani, SHBA dhe Irani i kanë shmangur përplasjet e drejtpërdrejta ushtarake. SHBA i ka shënjestruar grupet e mbështetura nga Irani në Jemen, Siri dhe Irak, ndërsa grupet e lidhura me Iranin e kanë sulmuar personelin amerikan në Irak dhe Siri. Teherani gjithashtu ka kryer sulme kundër atyre që pretendon se janë fraksione kundër Iranit në Irak, Siri dhe Pakistan, duke nxitur veprime hakmarrëse nga Pakistani.

Irani, duke e kundërshtuar praninë e SHBA-së në atë që e sheh si domenin e tij, ka shpenzuar vite duke kultivuar milici islamiste, antiperëndimore dhe anti-izraelite, të cilat janë bërë gjithnjë e më agresive. Kjo përfshin rebelët Houthi të Jemenit, të cilët kanë ndërprerë rrugët ujore jetike ndërkombëtare, duke nxitur ndërhyrjen perëndimore. Irani ka ofruar gjithashtu mbështetje për organizatën Hamas e cila qëndron pas sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit.

Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar nga Lindja e Mesme, SHBA është tërhequr përsëri në rajon për shkak të konfliktit. Prania e saj ushtarake, tashmë e konsiderueshme para luftës, është përforcuar, me trupa shtesë të dislokuara, duke përfshirë në bordin e grupeve sulmuese të transportuesve të Marinës dhe një Njësi Ekspeditore Detare.

Në disa zona si Iraku dhe Siria, prania ushtarake e SHBA-së mbivendoset me atë të Iranit dhe aleatëve të tij.

Ndërkohë që tensionet në të gjithë rajonin rriten, Lindja e Mesme është vendi ku Irani ose aleatët e tij janë të pranishëm, ku janë vendosur forcat amerikane dhe ku të dyja palët kanë kryer operacione ushtarake që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas.

Libani

Libani është shtëpia e forcës paraushtarake më të fuqishme në Lindjen e Mesme: Hezbollahut e cila ka mbështetje nga Irani, një nga përfaqësuesit më efektivë rajonalë të Republikës Islamike.

Hezbollahu ka bazën e tij kryesore në kufirin Izrael-Liban dhe ka shkëmbyer zjarr me Izraelin që nga fillimi i luftës në Gaza. Kjo lëvizje është e afërt me Hamasin në Gaza.

Ndërkohë që madhësia e saktë e arsenalit të grupit islamik shiit nuk dihet, ekspertët kanë vlerësuar se ai ka midis 150,000 dhe 200,000 raketa, si dhe raketa dhe mortaja. Qindra nga ato raketa “janë të saktësisë së lartë dhe shumë shkatërruese”, sipas Institutit për Studimet e Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

Udhëheqësi i Hezbollahut Sayyed Hassan Nasrallah pretendon se grupi ka 100,000 luftëtarë, duke përfshirë ushtarë aktivë dhe rezervistë. Irani besohet të jetë furnizuesi kryesor i armëve i Hezbollahut.

Iraku

Ndikimi i rëndësishëm i Teheranit në milicitë shiite në Irak është i lidhur ngushtë me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike iraniane (IRGC), si Kataib Hezbollah, Harakat al-Nujaba dhe Kata’ib Sayyid al-Shuhada. Disa nga këto grupe, si Kataib Hezbollah, konsiderohen më besnikë ndaj Teheranit sesa ndaj qeverisë irakiane. Inteligjenca amerikane vlerëson se këto milici kanë deri në 10,000 anëtarë. Grupet e mbështetura nga Irani kanë kryer sulme të shumta ndaj forcave amerikane në Irak, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse. Pavarësisht një reduktimi të konsiderueshëm, SHBA-ja ende ruan një prani ushtarake në Irak, me rreth 2,500 trupa të dislokuara nëpër baza të ndryshme. Kryeministri i Irakut shprehu dëshirën që koalicioni i udhëhequr nga SHBA të largohej, por SHBA-ja vazhdon praninë e saj me ftesë të qeverisë irakiane.

Siria

Përfshirja ushtarake e Iranit në Siri është kryesisht përmes vendosjes së Forcave Quds, një njësi e IRGC-së, për të mbështetur regjimin e presidentit Bashar al-Assad që nga kryengritja e vitit 2011. Milicitë e mbështetura nga Irani, të tilla si Brigadat Zainabiyoun dhe Fatemiyoun, rekrutojnë luftëtarë nga Afganistani dhe Pakistani për të forcuar forcat e tyre në Siri. Ndërkohë, SHBA mban rreth 800 trupa në Siri për të luftuar ISIS-in, kryesisht duke mbështetur Forcat Demokratike Siriane (SDF) në verilindje dhe Ushtrinë e Lirë Siriane në juglindje, pavarësisht kundërshtimit nga regjimi sirian. Kohët e fundit, trupat amerikane në Siri janë përballur me sulme të shtuara nga grupet e mbështetura nga Irani, duke çuar në sulme ajrore të SHBA-së si përgjigje.

Jemeni

Konflikti ndërmjet Iranit dhe SHBA-së, u përqëndrua në rebelët Houthi të Jemenit, të cilët kanë intensifikuar sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq, duke përmendur hakmarrjen kundër Izraelit për veprimet e tij në Gaza. Huthët kontrollojnë Jemenin verior dhe kanë qenë të përfshirë në një konflikt të gjatë me një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite të mbështetur nga SHBA. Ata kanë zhvilluar armë me komponentë iranianë të kontrabanduar në Jemen, duke çuar në përmirësime të rëndësishme. SHBA ka vendosur anije luftarake në Detin e Kuq për të goditur objektivat Houthi dhe ka formuar një koalicion për të mbrojtur trafikun tregtar nga sulmet Houthi.

Rripi i Gazës dhe Izraeli

Rripi i Gazës është shtëpia e grupit militant Hamas, për të cilin Izraeli beson se ka pasur rreth 30,000 luftëtarë para luftës. Një organizatë islamike me një krah ushtarak, Hamasi u krijua në vitin 1987 dhe më 7 tetor 2023 filloi një sulm ndaj Izraelit që vrau rreth 1200 njerëz dhe mori peng 253 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.

Irani ka ndërtuar lidhje më të ngushta me grupin në vitet e fundit, ndryshe nga të gjithë aleatët e tjerë të Teheranit në rajon, Hamasi është një organizatë myslimane sunite, dhe jo një organizatë shiite.

Nuk ka asnjë provë se Irani ka qenë paraprakisht në dijeni për sulmet e 7 tetorit dhe Irani nuk besohet të ketë aq shumë ndikim në Hamas sa aleatët e tjerë të tij në rajon. Mirëpo SHBA beson se Irani ka dhënë historikisht deri në 100 milionë dollarë në vit në mbështetje të kombinuar për grupet militante palestineze, duke përfshirë Hamasin dhe Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ), një grup tjetër militant me bazë në Gaza.

Në anën tjetër të kufirit, Izraeli është pranuesi më i madh i ndihmës ushtarake amerikane, me Uashingtonin që ka kontribuar më shumë se 130 miliardë dollarë në ndihmë që nga themelimi i shtetit hebre në vitin 1948.

Shtetet Arabe të Gjirit dhe Turqia

Ndërkohë që lufta Izrael-Hamas nuk është përhapur ende në shtetet arabe të Gjirit, disa nga këto vende ndihen të cenueshme pasi kanë qenë në shënjestër të grupeve të lidhura me Iranin më parë. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u sulmuan nga Huthi në vitet 2019 dhe 2022.

Shtetet e Gjirit aleate të SHBA-së janë gjithashtu shtëpia e disa prej dislokimeve më të mëdha të trupave amerikane në botë.

SHBA ka rreth 13,500 forca amerikane në Kuvajt, prania më e madhe ushtarake amerikane në rajon. Vetëm Gjermania, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë më shumë forca amerikane se Kuvajti.

Prania e dytë më e madhe ushtarake e SHBA-së në rajon është në Kata me rreth 10,000 forca amerikane në bazën ajrore Al-Udeid, baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme që është gjithashtu shtëpia e shtabit të Komandës Qendrore të SHBA-së dhe Qendra e Kombinuar e Operacioneve Ajrore. SHBA këtë muaj arritën në heshtje një marrëveshje që e zgjat praninë e saj ushtarake për 10 vjet të tjera në këtë vend.

Më shumë se 2,700 forca amerikane janë të stacionuara në bazën ajrore “Prince Sultan” në Arabinë Saudite, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe presin 3,500 personel ushtarak amerikan në bazën ajrore “Al Dhafra”, e cila është shtëpia e Qendrës së Luftës Ajrore të Gjirit.

Qendrat e tjera për praninë ushtarake amerikane përfshijnë Bahreinin, i cili ka Komandën Qendrore të Forcave Detare të SHBA dhe është shtëpia e Flotës së Pestë të Marinës, dhe Jordania, e cila pret rreth 3,000 trupa amerikane. Turqia pret 1,465 anëtarë ushtarakë në bazën ajrore të Incirlik./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala