Rreshteri, Afrim Bunjaku shpallet 'Hero i Kosovës'

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur “Hero i Kosovës” policin e vrarë dje në orët e para të mëngjesit në Banjskë të Zveçanit, Rreshterin Afrim Bunjaku.

Në mbledhjen komemorative në nderim të policit të rënë në detyrë, Presidentja Osmani i ka ndarë çmimin “Hero i Kosovës” familjes së policit.

Osmani tha se rreshteri i vrarë u sfidua nga bandat e Beogradit ndërsa ra në mbrojtje të dinjetit të Republikës së Kosovës.

“Ai ra në mbrojtje te dinjitetit të Republikës sonë. Kosova nga sot ka edhe një hero i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e qytetarëve tanë. Afrim Bunjaku u sfidua nga bandat e Beogradit. Heroi ynë ishte një shtyllë e fuqishme e Policisë se Kosovës, ai tregoi trimëri të pashoq. Afrimi na kujton se heronjtë nuk lindin por bëhen me veprat e tyre. Republikën e Kosovës nuk do të arrij askush ta gjunjëzojë e ta ulë. Lavdi dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për Afrim Bunjakun”- tha Osmani në mbledhjen komemorative.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra të dielën pas një sulmi nga një grup i armatosur, terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.