Haxhi Shala - Foto: Facebook

Raportohet se Specialja po interviston Haxhi Shalën, ZPS nuk jep detaje

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk ka pranuar të jap komente lidhur me raportimet për intervistimin e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala.

Zëdhënësi i ZPS-së, Christopher Bennett në një përgjigje për KALLXO.com ka konfirmuar se janë duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë.

“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejme” – ka thënë ai shkurtimisht kur është pyetur për raportimet për Shalën.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Faton Klinakun nga Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Klinaku ka thënë se deri më tani nuk kanë ndonjë informacion për këtë ngjarje.

Shala një kohë ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku fillimisht ishte zgjedhur si deputet nga NISMA e më pas kishte aderuar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Gjatë kohës sa mbante këtë pozitë, në 2020, ai ishte ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

“E rastësishme apo jo, në 22 vjetorin e ditës së dëshmorëve të Brigadës 121, kur po përkujtojmë përvjetorin e rënies së bashkëluftëtarit tim Ismet Jashari- Kumanova dhe dëshmorëve tjerë të rënë në luftën e pastër e të drejtë të UÇK-së — Unë komandanti i kësaj Brigade, sot kam pranuar ftesën nga Gjykata Speciale në Hagë, si i dyshuar, ku do të duhet të jem i pranishëm atje më 8 shtator të këtij viti”- kishte shkruar ai në 2020-ën.

Deputeti i AAK-së nesër udhëton në Hagë