Specialja kërkon të kontakohet urgjentisht Ministria e Drejtësisë lidhur me financimin e avokatëve të Shalës dhe të tjerëve

Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala janë të akuzuarit e fundit të cilët po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ata janë arrestuar nën dyshimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar se kanë përdorur kërcënime të rënda dhe premtim për përfitime ndaj një personi, i quajtur “Dëshmitari 1”, në mënyrë që ky i fundit ta tërhiqte dëshminë e tij.

Sipas dosjes, Haxhi Shala, ish-deputet dhe ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka urdhëruar Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin ta takojnë këtë dëshmitar individualisht për ta nxitur që të tërheqë dëshminë ose të mos japë dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.

Në seancën e sotme, më 13.02.2024, gjykatësi Nicolas Guillou ka urdhëruar Zyrën Administrative të kontaktojë urgjentisht Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës për të kërkuar informacione lidhur me statusin e financimit të ekipeve mbrojtëse.

Tutje, gjyqtari ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes për pezullim të procesit me arsyetimin se vazhdimi i procesit nuk i shkakton dëm mbrojtjes, duke marrë parasysh se procesi është ende në fazën paraprake dhe aspekti i financimit tashmë është duke u trajtuar për të gjetur zgjidhjen.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Drejtësisë.

Në përgjigje, Ministria thekson se komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave sot, më 13.02.2024, ka mbajtur takim dhe ka udhëzuar avokatët që t’i paraqesin kërkesat sipas legjislacionit në fuqi.

Në përgjigjen për KALLXO.com, Ministria e Drejtësisë thotë se kompensimi për shpenzimet e mbrojtjes për këtë kategori do të bëhet në bazë të udhëzimit administrativ.

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë arrestuar më 05.10.2023.

Në paraqitjen e tyre të parë, më 09.10.2023, të dy ishin deklaruar të pafajshëm.

Kurse Haxhi Shala ishte arrestuar më 11.12.2023, kurse në paraqitjen e parë më 13.12.2023, ai nuk ishte deklaruar për fajësinë apo pafajësinë e tij.

Tek në paraqitjen e mëtejshme, më 15.12.2023, ai u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Bashkimi i dy çështjeve për këta 3 të akuzuar ishte bërë më 08.02.2024, kur gjyqtari i procedurës paraprake Nicholas Guillou vendosi që çështja e përbashkët do të quhet: Prokurori i Specializuar kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, dhe numri i çështjes është KSC-BC-2023-10.

Si i përshkruan Prokuroria takimet mes dëshmitarit dhe të akuzuarve?

Aktakuza thotë se kontakti i parë mes palëve ka ndodhur më 05.04.2023, kur Haxhi Shala i ka telefonuar Sabit Januzit dhe më pas Ismet Bahtijari po ashtu ka thirrur Januzin.

Më pas, sipas Prokurorisë, Bahtijari ka shkuar në shtëpinë e “Dëshmitarit 1” dhe i ka thënë se Shala e ka dërguar për t’i thënë se ai duhet ta tërhiqte dëshminë e tij.

Aktakuza madje pretendon se “Dëshmitari 1” ka thënë se nëse do t’i ofronin 200 mijë euro ata do të arrinin një marrëveshje.

“Bahtijari u largua nga shtëpia e ‘Dëshmitarit 1’ dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në ulësen e shoferit” – thuhet më tej në aktakuzë.

Kjo, sipas Prokurorisë, ka bërë që “Dëshmitari 1” të brengoset për sigurinë e familjes së tij.

Pas kësaj vizite, thuhet se Januzi kishte kontaktuar përmes telefonit ndaras Shalën dhe Bahtijarin për të koordinuar një takim personal në të njëjtën mbrëmje.

“Në ditët në vijim, Shala dhe Januzi, mes te tjerëve, qëndruan në kontakt, duke përfshirë lidhjen me telefon të paktën katër herë midis 06.04.2023 dhe 09.04.2023” – vazhdon aktakuza.

Kontakti i dytë, gjithmonë sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ka ndodhur më 12.04.2023, kur Januzi pak pasi ka telefonuar Shalën, ka shkuar në shtëpinë e “Dëshmitarit 1”.

“Januzi i tha atij se Shala i kishte kërkuar Januzit të vazhdonte vizitën e Bahtijarit dhe të zbulonte se çfarë kishte planifikuar të bënte “Dëshmitari 1” dhe si mund të trajtohej çështja e dëshmisë së tij” – thuhet në aktakuzë.

Siç thuhet në aktakuzë, Januzi i kishte thënë “Dëshmitarit 1” se mesazhi i Shalës është se nëse ai e tërheq dëshminë e tij atëherë Shala dhe persona të tjerë do t’i ofronin atij ndihmë.

“’Dëshmitari 1′ u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. ‘Dëshmitari 1’ nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre atë që kishte thënë ‘Dëshmitari 1’” – thuhet në aktakuzë.

Menjëherë pas kësaj vizite, Prokuroria pretendon se Januzi ka thirrur përsëri Shalën.

Si pasojë e këtij kontakti, Prokuroria thotë se “Dëshmitari 1” ishte edhe më tej i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

Mbi të akuzuarit rëndojnë akuzat për – pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe  – frikësim gjatë procedurave penale.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.