Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, seanca mbyllet kur shpaloset identiteti i dëshmitarit të prokurorisë
Në Gjykatën Speciale ka vazhduar sot gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në këtë seancë është duke u dëgjuar dëshmitari i radhës i prokurorisë, zëri i të cilit është i modikfikuar dhe fytyra e të njëjtit po ashtu nuk shihet.
Seanca kaloi në sesion privat (të mbyllur) kur dëshmitari u intervistua lidhur me identitetin e tij.
Ky dëshmitar do të intervistohet gjatë këtyre dy ditëve në vazhdim, fillimisht nga ana e prokurorisë, pastaj nga avokatët mbrojtës të të akuzuarëve dhe trupit gjykues.
Aktakuza aktuale ndaj të akuzuarve është dorëzuar më 27 shkurt 2023.
Aktakuza fillestare kundër tyre u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.
Secili prej të akuzuarve është i akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: Përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet e pretenduara, sipas Prokurorisë janë kryer në disa vende në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë, nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.
Lidhur me këto akuza, ata janë deklaruar të pafajshëm para gjykatës.
Gjykimi ndaj tyre filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të prokurorit të specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë rast janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.
Të akuzuarit ishin vendosur në paraburgim në Hagë në nëntor të vitit 2020 dhe vazhdojnë të jenë akoma nën këtë masë.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.