Një dron ka eksploduar të premten paradite në qytetin rumun, Konstancë
Në një deklaratë, Ministria Rumune e Mbrojtjes Kombëtare ka thënë se droni shpërtheu rreth orës 10:30 të mëngjesit sipas orës lokale dhe se mendohet se të ishte “i llojit të përdorur në luftën në Ukrainë”, ka raportuar të premten (05.06.2026) Euronews.
“Zona ishte siguruar dhe rrethuar tashmë nga forcat e Shërbimit të Inteligjencës Rumune, Roja Bregdetare dhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare; objekti po i nënshtrohet vlerësimit dhe sigurimit” – ka njoftuar Ministria rumune e Mbrojtjes.
Ministria ka konfirmuar po ashtu se droni nuk ishte pjesë e inventarit të ushtrisë rumune dhe se nuk ishte përfshirë në stërvitjet e fundit ushtarake në zonën e Detit të Zi.
Deri më tani nuk janë raportuar të lënduar, ndërsa incidenti po hetohet.
“Prioriteti ka qenë dhe mbetet mbrojtja e jetës njerëzore dhe siguria e infrastrukturës portuale” – ka shkruar presidenti rumun, Nicușor Dan, në X pas lajmit.
“Situata të tilla veçanërisht serioze janë pasoja të drejtpërdrejta të luftës së agresionit të ndërmarrë nga Rusia kundër Ukrainës” – ka shkruar presidenti rumun.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka shprehur solidaritet me Rumaninë për incidentin, duke thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë “po bëhet gjithnjë e më shumë kërcënim i drejtpërdrejtë për vendet në kufirin tonë lindor”.
“Solidariteti ynë me çdo shtet anëtar të ekspozuar ndaj këtyre kërcënimeve është absolut” – ka shkruar ajo në një deklaratë të postuar në mediat sociale.
Ambasada ruse në Rumani thuhet se ka mohuar se droni ishte rus.
Shumë punonjës të emergjencës dolën në vendngjarje në Konstancë të premten, përfshirë policinë, rojet kufitare dhe zjarrfikësit. Një helikopter “Black Hawk” u mobilizua gjithashtu për të ofruar mbështetje, sipas Departamentit të Emergjencave të Rumanisë.
Incidenti ndodh pasi javën e kaluar një dron rus me eksplozivë u rrëzua në qytetin lindor rumun, Galați, duke shkaktuar zjarr në çatinë e një blloku apartamentesh dhe duke plagosur dy persona.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com