Prokuroria Speciale shënjestron 3 raste të reja, 30 persona të dyshuar

Prokuroria Speciale ka njoftuar sot më 16.04.2024 se ka shënjestruar 3 raste të reja me 30 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale përfshirë shpëlarje parash, keqpërdorim i detyrës zyrtare e mashtrim.

Ky shënjestrim, Prokuroria ka njoftuar se është bërë në takimin me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e Krimeve të Rënda, nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj.

Në rastet e mëposhtme, sipas njoftimit të prokurorisë janë konfiskuar para, armë, vetura, telefona e kompjuterë.

Sipas njoftimit të prokurorisë, në rastin e parë të shënjestruar janë konfiskuar 257 mijë e 540 euro, 7 vetura, 9 telefona, pajisje kompjuterike e kompjuterë si dhe 1 armë e gjatë dhe 1 pistoletë.

Veprat penale që dyshohen në këtë rast janë “ Hyrje ne sistemet kompjuterike”, “Mashtrimi “ dhe “Shpëlarje e parave”, si dhe  “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për rastin e parë janë gjithsej 7 të dyshuar, 4 nga ta gjenden nën masën e paraburgimit, kurse 3 tjerë nën masën e arrestit shtëpiak.

Në rastin e dytë, janë të përfshirë 19 persona për veprat penale “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo të materieve plasëse”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Edhe në këtë rast prokuroria ka njoftuar se ka kryer konfiskime, nga to 35 armë, 4 vetura, 650 euro, 2 telefona dhe fishekë të kalibra të ndryshëm.

Nga këta 19 persona të dyshuar, sipas njoftimit të prokurorisë, 3 nga ta gjenden nën masën e paraburgimit.

“… Ju njoftojmë se në rastin e dytë janë përfshirë nëntëmbëdhjetë (19) persona, tre (3) prej tyre gjenden në paraburgim për veprën penale “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo të materieve plasëse”, nga neni 364 dhe 31 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.” – thuhet në njoftimin e prokurorisë speciale.

Kurse, në rastin e tretë të shënjestruar janë të përfshirë 4 persona për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënia e ndihmës”, nga neni 33 në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.