Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian, Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Presidentja Osmani në Parlamentin Evropian përmend kontributin e veprimtarëve kosovarë

Disa emra personalitetesh e veprimtarësh të shquar nga Kosova, u përmendën nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj para deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg, të mërkurën.

Teksa fjalimin e nisi me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, e përfundoi me veprimtarin Adem Demaçi.

Gjatë fjalimit të saj nuk munguan as figurat e grave nga Kosova që kanë lënë gjurmë me veprimtaritë  dhe guximin e tyre.

“Historinë e Kosovës e dini të gjithë. Disa prej jush e kanë vizituar, disa e kanë studiuar, disa prej jush kanë luajtur rol në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Por historia e vërtetë e Kosovës, siç them gjithmonë, është historia e njerëzve të saj. Një vend dhe një demokraci nuk është më e fortë për shkak të ndonjë individi apo lideri, apo ndonjë reforme të caktuar. Forca e një vendi vjen nga forca kolektive e popullit të tij. Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”- tha Osmani.

“Sot kam me vete Vasfije Krasniqin, ajo ishte 16 vjet kur forcat e Millosheviqit e dërguan në një vend që ishte dita më errët për të, ku e dhunuar me orë të tëra”- shtoi ajo, teksa theksoi kurajon e Krasniqit për të folur publikisht për rastin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Ajo vendosi të fliste për këtë, për këtë stigmë dhe kishte të gjithë vendin që qëndronte pas saj. Ajo sot është zëri i qindra të mbijetuarave”- tha Osmani.

Lidhur me luftën, Osmani përmendi edhe historinë e Fahrije Hotit nga Krusha e cila është themeluese e ndërmarrjes “Krusha”.

“Fahrije Hoti vjen nga fshati Krushë, ku pothuajse të gjithë burrat u vranë gjatë luftës, duke përfshirë edhe shumë të zhdukur me dhunë…E mbetur vetëm, e pandihmë dhe në kërkim të bashkëshortit të saj të dashur, Fahrija mund të kishte zgjedhur të dorëzohej, por ajo zgjodhi të luftonte. Ajo e ktheu pikëllimin në motivim; ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri. Sot, Fahrije Hoti zotëron Kooperativa Krusha… Historia e saj inspiroi Blerta Bashollin…. Ajo kishe kapur momente që shpërfaqnin forcë”- tha Presidentja.

Liberalizimi i vizave ishte një tjetër temë që presidentja e preku gjatë fjalimit ku ajo theksoi sfidat e të rinjve Kosovarë për ta shprehur kreativitetin e tyre edhe jashtë Kosovës si pasojë e mos liberalizimit të vizave.

“Sapo flas për të ardhmen flas për Hana Qerimim. Hana nganjëherë haste vështirësi për shkak të vizave. Dua të ju falënderoj për votën e fundit që i dhatë Hanës dhe qytetarëve për vizat. Jam e sigurt që nuk dëshironi të dëgjoni më liberalizim dhe Kosovë ne një fjali” – tha presidentja.

Osmani nuk la pa përmendur as punën e pjesëtareëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe kontributin që FSK e ka dhënë në kërkim-shpëtimin e njerëzve gjatë tërmetit të fundit që preku Turqinë.

“Egzon Syla, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK e di më së miri se çfarë do të thotë të kesh mundësi ta kthesh të mirën me të mirë. Egzoni, i cili është me mua sot, ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi.”- theksoi presidentja.

“Sot, një 2-vjeçare si dhe shumë të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë”-shtoi ajo.

Presidentja tha se mundësitë që të ofrohen shfrytëzohen në maksimum pasi një vend e përjeton shkatërrimin e plotë.

“Kur e përjeton shkatërrimin e plotë, fitorja është e çmuar, paqja është qenësore, jeta është e shtrenjtë dhe mundësitë që të ofrohen shfrytëzohen në maksimum”-tha ajo.

Osmani përmendi edhe sportistë të shumtë që e kanë përfaqësuar Kosovë edhe jashtë vendit ku theksoi emrat e xhudisteve Majlinda Klemendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi.

Dua Lipa dhe Rita Ora ishin personalitete tjera që presidentja i përmendi për të cilat tha se janë jo vetëm emra të njohur në Kosovë; por edhe në mbarë botën që kryesojnë top listat muzikore botërore.

Krahas figurave kosovare, Osmani nuk la pa përmendur as gazetarët e Ukrainës që kanë gjetur strehim në Kosovë, ku theksoi se atyre iu është dhënë mundësia që gjatë qëndrimit në këtë vend ta njohin Kosovën nga afër.

“Lyudmila Makey ishte gazetarja e parë ukrainase që u prit në Kosovë. Kur ajo arriti ajo tha se kishte zgjedhur Kosovës sepse donte ta kuptonte më së miri për shkak të eksperiencës së njëjtë”- u shpreh Osmani.

Gjatë vizitës së saj në Strasburg, Osmani është pritur në takim nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Mensola.

Osmani: Kosova është Evropë dhe të jesh kosovar është të jesh evropian