Foto: Ambasadori Jeffrey Hovenier/X

FSK, diplomon grupi i parë ukrainas në trajnimin për largim të minave

Në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Lidhja e Prizrenit” në Prizren u mbajt ceremonia e diplomimit të deminerëve të parë me kontigjentin ukrainas, një iniciativë e përbashkët trajnimi e SHBA-së dhe FSK-së.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier u shpreh krenar me këtë përpjekje të përbashkët me Kosovën për sigurinë e popullit ukrainas.

“Sot grupi i parë i Policisë Kombëtare të Ukrainës dhe Shërbimeve Shtetërore të Emergjencave u diplomua nga një iniciativë e përbashkët trajnimi e Komandës Europiane të SHBA-së dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës për largimin e minave dhe mjeteve të pashpërthyera. Krenar që e dëshmojmë këtë përpjekje të SHBA-së dhe Kosovës për ta mbajtur popullin ukrainas të sigurt dhe të qëndrojmë me partnerët kosovarë në solidaritet me Ukrainën”- shkroi Hovenier në rrjetin X.

Në këtë ceremoi morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, përfaqësues të EUCOM-it, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.