Bashkim Jashari dhe Oliver Palkowitsch

Nënkoloneli Oliver Palkowitsch emërohet Zëvendësatashe i Mbrojtjes në Ambasadën gjermane

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka njoftuar se nënkoloneli Oliver Palkowitsch është emëruar në pozitën e sapokrijuar të Zëvendësatasheut të Mbrojtjes në Ambasadën gjermane në Prishtinë.

Sipas njoftimit, akreditimi i tij është bërë në shenjë të bashkëpunimit dhe miqësisë së ngushtë ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, përfshirë në fushën ushtarake dhe të politikës së sigurisë.

Ambasada ka thënë se Ministria gjermane e Mbrojtjes dhe homologia e saj kosovare aktualisht janë duke punuar së bashku në tri fusha kryesore të bashkëpunimit: Programi Vjetor Bilateral, Ndihma për Trajnimin Ushtarak dhe Iniciativa për Përmirësim dhe Mundësim.

“FSK-ja i është bashkuar Iniciativës Gjermane për Përmirësim dhe Mundësim në vitin 2019, që kur Gjermania u ka ofruar institucioneve të sigurisë në Kosovë pajisje në vlerë prej 5.8 milionë euro, duke përfshirë një fabrikë për pastrimin e ujit, dy transportues të mallrave të rrezikshme, dhjetë kostume për mbrojtjen nga bomba dhe – vetëm dje – pesë. kamionë për regjimentin logjistik të FSK-së” – thuhet në komunikatën e ambasadës gjermane.

Sipas kësaj ambasade, ka plane gjithashtu për pajisjen e plotë të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit të Kërkimit dhe Shpëtimit përpara fundit të këtij viti.

“Si pjesë e Asistencës së saj për Trajnim Ushtarak, Gjermania ofron deri në 15 vende trajnimi të financuara plotësisht për pjesëtarët e FSK-së në programe të tilla si kurse trajnimi për oficerë dhe kurse master. Së fundi, Programi Vjetor Bilateral përbëhet nga deri në 20 aktivitete në vit, të cilat kryhen në mënyrë alternative nga Gjermania dhe Kosova. Kjo mund të përfshijë diskutime ekspertësh, seminare ose aktivitete të tjera të përbashkëta” – ka njoftuar Ambasada.

Sipas ligjit në Kosovë, detyrë e atasheve të mbrojtjes është që të zhvillojnë dhe promovojnë interesat e mbrojtjes në vendin ku janë caktuar, si dhe të forcojnë marrëdhëniet ushtarake dhe të mbrojtjes me atë vend.

Në Kosovë, atashe i mbrojtjes është një pjesëtar aktiv i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai nuk është diplomat karriere, por gëzon imunitet diplomatik sipas akteve dhe konventave ndërkombëtare në fuqi.

Atasheu zgjidhet pas kalimit të disa konkurseve brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas, me propozimin e kësaj ministrie, kalon në konsultim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe procedohet tutje.