Kurti bëri homazhe në përkujtim të masakrës së Studenicës në Istog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Vasfije Krasniqin, sot kanë bërë homazhe në përkujtim të masakrës në Studenicë të Komunës së Isrogut.

Para 25 vjetëve, në këtë fshat forcat serbe vranë katër nëna edhe katër vajza të mitura, të moshës prej 12 deri në 15 vjeç, si dhe kryeplakun e fshatit.

Pas homazheve dhe vendosjes së luleve të freskëta mbi varret e të vrarëve, kryeministri Kurti tha se jam këtu për të bërë nderime për këta martirë, të cilët u vranë mizorisht para 25 vjetëve.

“As emrat e tyre nuk harrohen kurrë, e as gjaku i tyre nuk shlyhet, sepse ne aty e kemi edhe historinë tonë për neve dhe brezat e ardhshëm, por edhe rrënjët e shtetit që e kemi dhe lirisë që e gëzojmë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se pas vrasjes mizore forcat serbe i kanë hedhur kufomat në pus, sepse shqiptarët u kanë penguar edhe të gjallë edhe të vdekur.

Ai më tej ka thënë se kriminelëve nga Serbia edhe trupat e vdekur të shqiptarëve u janë dukur që po rrojnë, dhe preokupimi i tyre kryesor nuk ka qenë dilema a të bëjnë vrasje a jo, por çka të bëjnë me trupat.

Duke nderuar të vrarët e masakrës në Studenicë, kryeministri Kurti tha se fakti që ne jemi këtu, fakti që ju jeni këtu e ndërtoni jetën e juaj, zhvillohemi bashkë shoqëria e shteti, qeveria dhe institucionet e tjera, tregon që populli shqiptar dhe Republika e Kosovës ka triumfuar dhe këtë ne duhet të vazhdojmë ta forcojmë, sepse kjo është kontribut i yni për drejtësinë historike mbi atë çka na ka ndodhur.