FSK ngrit kapacitetet e Policisë Ushtarake

Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar kursin bazik për Policinë Ushtarake.

Ky kurs zgjat 10 javë dhe pjesëtarët trajnohen në teorinë mbi ligjet, rregulloret dhe aktet tjera në fuqi si dhe në aspektin praktik të ekzekutimit të detyrave të PU-së.

“Pjesëtarët gjatë trajnimit janë validuar në detyra të Policisë Ushtarake, si patrullime, ndalesa në trafik, reagimi ndaj mjeteve shpërthyese, menaxhimi i turmave, menaxhimi i kampit të robërve të luftës, neutralizimi i gjuajtësit aktiv”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Komandanti i Policisë Ushtarake, nënkolonel Besnik Selimi ka përgëzuar pjesëmarrësit dhe me këtë rast në bazë të vlerësimit nga instruktorët janë ndarë këto çmime: Çmimi Akademik gjatë trajnimit bazik për Policinë Ushtarake për OR3 Idriz Hoti dhe çmimi instruktor i dalluar për OR6 Faton Muli.

Kursi Bazik u organizua nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe u realizua në bashkëpunim me Instruktorët e Policisë Ushtarake.