Policia ruan pllakën për Enver Zymerin në Zubin Potok | Foto: Adelina Ahmeti,KALLXO.com/05.04.2024

Policia ruan pllakën përkujtimore të Enver Zymerit në Zubin Potok

Një ekip i Policisë së Kosovës po e ruan pllakën përkujtimore të heroit Enver Zymeri që u vendos para dy ditëve, më 03.04.2024, në Varage të Poshtme të Zubin Potokut.

Ekipi i KALLXO.com gjatë ditës ka qenë në këtë zonë dhe aty është parë se në rrugën magjistrale Mitrovicë – Zubin Potok, një hapësirë prej 100 metra është bllokuar e aty janë vendosur një ekip i Policisë, të cilët po qëndronin në afërsi të pllakës.

03.04.2024 në vendin ku u vra polici Enver Zymeri u vendos edhe pllaka përkujtimore e tij e edhe një flamur i Republikës së Kosovës.

“Në këtë vend me datë 26.07.2011 ra heroikisht në krye të detyrës pjesëtari i Policisë së Kosovës Heroi Enver Zymeri” – shkruan në këtë pllakë.

Në zbulimin e pllakës morën pjesë familjarë të Zymerit e gjithashtu edhe drejtues të shtetit, përfshirë këtu edhe kryeministrin Albin Kurti.

Zymeri, kishte qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe ishte vrarë në veri të Kosovës, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës me 26 korrik të vitit 2011, për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31.

Pllakë përkujtimore për Enver Zymerin është vendosur edhe në Qendrën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Jugut, më 26.07.2023.

Kjo qendër e Policisë po ashtu mban emrin e Enver Zymerit.

Në shtator të 2022-ës, në vendin ku është vrarë Zymeri ishte gjet një baner në gjuhën serbe i cili shkruante “Këtu jemi! Mos u shqetësoni! Po presim! t’ju mbrojmë!”.

Policia ruan pllakën për Enver Zymerin në Zubin Potok |Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com/05.04.2024