Foto; KALLXO.com

Policia jep detaje për vdekjen e burrit nga Shtërpca pas lëndimeve që mori si pasojë e rrahjes

Një burrë 49 vjeçar me inicialet J. K. nga Shtërpca të martën ka vdekur në spitalin e Nishit në Serbi si pasojë e lëndimit të rëndë trupor kishte pësuar pas një rrahje më datë 8 të këtij muaji.

Sipas të dhënave nga policia më datë 10.12.2023 rreth orës 19:40 policia e stacionit në Shtërpcë kishte pranuar një informatë nga shtëpia e shëndetit në Shtërpcë, J. K. (M/K), serb i moshës 49 vjeçar nga familjarët e tij ishte me lëndime trupore, i cili pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë është dërguar në spitalin Graçanicës.

Policia thekson se nga hetimet e para, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, dyshohet se më datën 08.12.2023 rreth 02:00 të mëngjesit në Shtërpcë, në rrugën për në fshatin Biti e Epërme, pas një përleshje fizike, personi J. K. pëson lëndime trupore nga personi N. K. (M/K), serb i moshës 20 vjeçar.

Në lidhje me këtë në konsultim me porkurorin kujdestar, fillimisht rasti ishte inicuar si ‘’Lëndim i lehtë trupor’’.

Derisa, më 12.12.2023 në ora 14:00 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar informatën tjetër se, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, i lënduari J. K. nga spitali i Graqanicës për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është transportuar në spitalin e qytetit të Nishit në Serbi. Kurse, rreth orës 19:30 të datës 12.12.2023, policia është informuar se J. K. ka ndërruar jetë në spitalin e qytetit të Nishit.

Me vendim të prokurorit të rastit është arrestuar i dyshuari N. K. dhe është ndaluar në mbatje për 48 orë, për veprime tjera hetimore.

Tutje, policia potencon se në rast janë kyçur edhe hetuesit rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve dhe të gjitha veprimet e mëtejme hetimore po ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ndërsa rasti është rikualifikuar ‘’Lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekje’’.