Motoja "Demokracia vdes në errësirë". FOTO: AGK.

Pesë minuta në ekran motoja "Demokracia vdes në errësirë!", solidarizimi i disa mediave me Klan Kosovën

Pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për pezullimin e licencës së televizionit Klan Kosova, disa media në Kosovë janë solidarizuar me kolegët e këtij mediumi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK ka njoftuar se RTV Dukagjini, T7, RTV21, Kanal10, sonte në orën 20:00, kanë vendosur për pesë minuta në ekranet e tyre moton “Demokracia vdes në errësirë! #beteja e medias”.

“Në shenjë solidarizimi me kolegët e Klan Kosova, pas vendimit të MINT për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi, disa nga mediet kryesore në vend: RTV Dukagjini, T7, RTV21, Kanal10, sonte në orën 20:00, kanë vendosur për pesë minuta në ekranet e tyre moton “Demokracia vdes në errësirë! #beteja e medias”- thuhet në postimin e AGK-së.

Tutje, ky asociacion ka bërë thirrje që të gjitha palët e përfshira t’i japin kohë procesit të kompletimit të dokumentacionit të Klan Kosovës për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

MINT me 14 qershor ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Ministria ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ky vendim i MINT ka nxitur reagime të shumta.

Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me pezullimin e licencës së televizionit Klan Kosova.

Përmes një reagimi në rrjetin social Twitter, BE-ja ka thënë se është duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe vëmendja është tek ndikimi i mundshëm në lirinë e medias.

“BE mbetet e përshkushtuar në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes dhe informimit në Kosovë” – thuhet në reagim.

Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) i ka dhënë 30 ditë afat televizionit Klan Kosova që të plotësojë të gjitha dokumentet e biznesit pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Në rast se nuk plotësohen dokumentet, KPM do të marrë masa.

Raportimet e KALLXO – LINK .