Takimi i presidentes Vjosa Osmani me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, Foto: Presidenca/Facebook
Osmani diskuton me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, në një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas një njoftimi të Presidencës së Kosovës, ky diskutim vjen në prag të votimit nga Asambleja e Përgjithshme e KE-së.
“Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në prag të votimit nga Asambleja Parlamentare e kësaj organizate. Presidentja Osmani vuri theksin tek rëndësia e këtij anëtarësimit të Kosovës për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim” – thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin e datës 12.04.2024.
Presidentja Osmani i ka shprehur mirënjohje ambsadorit Hargreaves për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, ndërsa ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje në këtë momentum të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët e tij.
Ndërkaq, për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe përtej, Osmani ka biseduar më 04.04.2024, edhe me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.
Në temën e Këshillit të Europës, Osmani i ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.
Së fundmi, është raportuar se Serbia ka formuar grupin punues, i cili do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Europës.
Grupi punues u formua me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë seancës të mbajtur më 0.04.2024 në Qeverinë serbe.
Grupi punues do të udhëhiqet nga Ivica Daçiq, që është kryediplomati i Serbisë, së bashku me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Anëtarë në këtë ekip do të jenë edhe ministrja serbe për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, dhe ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviq.
Formimin e këtij grupi e kishte paralajmëruar edhe Vuçiqi. Ai ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të bashkojnë forcat për të parandaluar anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Europës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi reagoi më 05.04.2024, në lidhje me qasjen e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.
Sipas ministrit Krasniqi, Bashkimi Europian nuk po i komenton rastet kur Serbia shkelë marrëveshjet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa e njëjta nuk po ndodhë ndaj Kosovës.
Anëtarësimi i Kosovës në KiE është përfshirë si pjesë e marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 27.02.2023 dhe në takimin në Ohër, në 18.03.2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.
Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Tre liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Europës, Dora Bakyoannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.
Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.
Pranimi në këtë organizatë të bëhet me votimin e shumicës prej 2/3.
Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.