Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM
Një vit nga dakordimi i Marrëveshjes Bazike në Bruksel, Bislimi fajëson Serbinë për moszbatimin e saj
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi vlerëson se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke mes Kosovës dhe Sebrisë.
Në njëvjetorin e dakordimit të Marrëveshjes Bazike në Bruksel, Bislimi ka deklaruar se Serbia ende po refuzon ta nënshkruaj dhe të zbatojë marrëveshjen.
“Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordua ajo, dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen. Përkundrazi, përgjatë kësaj periudhe një vjeçare jemi përballur me shkeljet e Serbisë, eskalimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive”- ka shkruar Bislimi më 27.02.2023.
Ai ka përmendur të gjitha rastet kur Kosova ka ofruar publikisht që marrëveshja të nënshkruhet, pro që sipas tij, Serbia refuzoi dhe gjithashtu ka shkelur tetë nene të marrëveshjes.
“Me 27 shkurt në Bruksel, me 18 mars në Ohër, me 14 shtator në Bruksel, me 26 tetor në Bruksel, me 8 shkurt në Neë York, plot pesë herë u ofrua dhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por u refuzua. Përtej kësaj, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues”- thotë Bislimi.
Numri dy i Qeverisë ka numëruar të gjitha ngjarjet që ndodhën pas dakordimit të Brukselit dhe më pas edhe atë të Ohrit më 18.03.2023, për Aneksin Implementues të marrëveshjes.
“Pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, shantazhuan e kërcënuan serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit tonë tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq në dhjetor”- është shreehur Bislimi.
“Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke”- shton ai.
Bislimi argumenton se Kosova po qëndron konstruktive dhe e angazhuar në zbatim të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.
“Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit”- ka përfunduar zëvendëskryeministri.
Kosova dhe Serbia më 27.02.2023 në Bruksel ishin dakorduar për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve që në publik njihej si “Plani franko-gjerman”, përderisa më 18.03.2023 në Ohër, u dakorduan edhe për aneksin e zbatimit të saj.
Kjo marrëveshje, e njohur edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.
Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.