Ministri Krasniqi: Kur Serbia shkelë marrëveshjet në mënyrë të përsëritur, BE preferon të mos hyjë në detaje

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka reaguar në lidhje me zhvillmet e fundit të çasjes së shtetit serb ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian.

Sipas ministrit Krasniqi, Bashkimi Evropian nuk po i komenton rastet kur Serbia shkelë marrëveshjet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa e njëjta nuk po ndodhë ndaj Kosovës. 

“Kur Serbia shkelë marrëveshjet në mënyrë të përsëritur, Bashkimi Evropian preferon të mos hyjë në detaje dhe të përmbahet nga ndonjë koment i mëtejshëm. Por kur bëhet fjalë për Kosovën, ata mund të jenë aq specifik sa të komentojnë një vendim të qeverisë në shpronësimin e tokës dhe të vendosin gishtin. Pse?” – ka shkruar ministri Krasniqi, më 05.04.2024, në platformën X.

Së fundmi, është raportuar se Serbia ka formuar grupin punues, i cili do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshill të Evropës.

Grupi punues u formua me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë seancës të mbajtur më 5 prill në Qeverinë serbe.

Grupi punues do të udhëhiqet nga Ivica Daçiq, që është kryediplomati i Serbisë, së bashku me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Anëtarë në këtë ekip do të jenë edhe ministrja serbe për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, dhe ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviq.

Formimin e këtij grupi e kishte paralajmëruar Vuçiqi një ditë më parë. Ai ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të bashkojnë forcat për të parandaluar anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, është përfshirë si pjesë e marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 27.02.2023 dhe në takimin në Ohër, në 18.03.2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

Pranimi në këtë organizatë të bëhet me votimin e shumicës prej 2/3.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e themeluar në vitin 1949.