Ilustrim - Banesa Sociale në Laplasellë, Graçanicë FOTO-Deniz Sllovinja/KALLXO.com

OSBE reagon për dëmtimin e varrezave ortodokse serbe në një fshat të Graçanicës

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka dënuar dëmtimin e varrezave Ortodokse Serbe në fshatin Kishnicë të komunës së Graçanicës.

Qytetarë të panjohur kanë dëmtuar shtatë gurë varresh.

Sipas misionit të OSBE-së në Kosovë, ky dëmtim ka shkaktuar shqetësime te komunitetet lokale

“Misioni i bashkohet thirrjes së Policisë së Kosovës duke kërkuar nga kushdo që ka informacion për këtë incident që të dalë për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij rasti, dhe lavdëron policinë për reagimin duke dërguar njësitet rajonale hetimore dhe forenzike në varreza. Misioni do të mbështesë Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi dhe Komitetin Lokal për Siguri Publike në trajtimin e këtij rasti dhe vlerësimin se si të mbrohen më mirë varrezat lokale”, thuhet në reagim.

Policia e Kosovës ka raportuar të hënën për dëmtimin e varrezave serbe në këtë fshat.

“Dje me datë 26.12.2021, në ora 15:10, në Policinë e Kosovës, konkretisht në Stacionin policor në Graçanicë një person i gjinisë femërore ka raportuar se të njëjtën ditë rreth orës 15:00, e njëjta kishte vizituar varrezat e të afërmve të saj në fshatin Kishnicë dhe kur kishte arrit tek varrezat e njëjta ka konstatuar se disa varreza ishin të dëmtuara”, thuhet në njoftim të policisë.

Policia e Kosovës ka shtuar në raportim se pas pranimit të informatës dhe raportimit të rastit, përveç hetuesve të stacionit policor në Graçanicë, ka angazhuar edhe hetues të specializuar nga niveli rajonal për ndërmarrjen e masave profesionale hetimore për sqarimin e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë këtë rast.

Dëmtohen varrezat në Kishnicë, policia nis hetimet