Dëmtohen varrezat në Kishnicë, policia nis hetimet

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se dje është raportuar për dëmtim të disa varrezave serbe në fshatin Kishnicë të Graçanicës.

“Dje me datë 26.12.2021, në ora 15:10, në Policinë e Kosovës, konkretisht në Stacionin policor në Graçanicë një person i gjinisë femërore ka raportuar se të njëjtën ditë rreth orës 15:00, e njëjta kishte vizituar varrezat e të afërmve të saj në fshatin Kishnicë dhe kur kishte arrit tek varrezat e njëjta ka konstatuar se disa varreza ishin të dëmtuara”, thuhet në njoftim të policisë.

Policia e Kosovës ka shtuar se pas pranimit të informatës dhe raportimit të rastit, përveç hetuesve të stacionit policor në Graçanicë, ka angazhuar edhe hetues të specializuar nga niveli rajonal për ndërmarrjen e masave profesionale hetimore për sqarimin e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë këtë rast.

“Ekipet kompetente hetimore përfshirë edhe ato të teknikës forenzike kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat e ekzaminimit forenzik, ku edhe është evidentuar dëmi në disa varreza të komunitetit serb.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, i cili ka urdhëruar që të iniciohet rast në drejtim të veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” neni 413, paragrafi 1”, thotë njoftimi i Policisë.

Policia në fund ka inkurajuar të gjithë qytetarët pa dallim, në rast të posedimit të ndonjë informate lidhur me këtë çështje, ta ndajnë me Policinë e Kosovës në mënyrë që rastet e tilla të zbulohen më shpejt dhe mos të përsëriten asnjëherë në të ardhmen.