Operacioni i Policisë, arrin në 4 numri i të arrestuarve për monedha 2-euroshe që dyshohet të jenë të falsifikuara

Policia ka arrestuar edhe dy persona në operacionin ‘Taksisti 2023’, i zhvilluar nga muaji prill, kundër parave të falsifikuara, me ç’rast ishin konfiksuar mbi 10 mijë euro në monedha 2-euroshe që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Më 13 prill Policia kishte arrestuar dy persona lidhur me këtë rast, derisa sot janë arrestuar edhe dy të tjerë.

“Siç jeni informuar përmes komunikatës zyrtare për media të Policisë me datën 13 prill 2023, lidhur me operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës kundër parave të falsifikuara të metalit ku ishin konfiskuar mbi dhjetë mijë euro (10,000.00), me nga dy (2) Euro të dyshuara fals dhe dëshmi të tjera; “Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës shkëputin një linjë të furnizimit me para të metalta të falsifikuara duke pamundësuar përdorimin e tyre në vendin tonë, arrestohen dy persona të dyshuar, konfiskohen mijëra euro false të metalit”, sot Policia e Kosovës ka arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë rast”- thuhet në njoftim.

Në njoftim potencohet se Policia, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përmes Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, ka arritur të sigurojë prova apo dëshmi të reja edhe për dy persona të tjerë të dyshuar të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me personin e parë të dyshuar me iniciale A.L. ( i arrestuar më 13.4.2023), duke blerë dhe shpërndarë paratë e falsifikuara në vende të ndryshme.

Dy personat e tjerë të dyshuar në këtë rast me iniciale L.L. dhe R.K., tanimë të arrestuar, ekziston dyshimi i bazuar se me veprimet e tyre dyshohen se kanë kryer veprën penale – falsifikim i parasë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.