Bashkëshortja e Rexhep Selimit: “Nuk dua me pa kërkon prej bashkëluftëtarëve të mi te krimet e rënda e aq më pak për statusin e veteranëve”

Deputetja Shqipe Selimi ka dëshmuar të enjten më 29.02.2024 në Gjykatë në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve në rastin ‘Veteranët’.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, akuzohen se gjatë kohës sa kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit të UÇK-së, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Selimi njëherazi bashkëshortja e të akuzuarit për krime lufte në Gjykatën Speciale me seli në Hagë, Rexhep Selimi, ka dhënë dëshmi lidhur me këtë rast.

Shqipe Selimi tha se ka qenë pjesëmarrëse në luftën e Kosovës, në periudhën e prillit të vitit 1998 në zonën e Drenicës dhe atë kur ishte vetëm 14 vjeçe.

Selimi ishte dëshmitare e ftuar nga avokati, Ramë Gasi, i cili mbron të akuzuarin Agim Çeku. Dëshmitarja në pyetjen e avokatit Rama, se a kishte qenë luftëtare në luftën e fundit të Kosovës, u përgjigj se kishte qenë “luftëtare dhe krenare”.

“Pyetja e çuditshme… po kam qenë edhe krenare”- u shpreh Selimi.

E njëjta tha se lidhur me këtë përgjigje ka dëshmitarë brenda sallës së Gjykatës {duke ju referuar të akuzuarve} dhe jashtë sallës që mund ta dëshmojnë një pretendim të tillë.

Selimi tha se i është njohur statusi i veteranes për të cilin gjatë kohës sa ishte e pa punë kishte përfitime financiare, por jo edhe në momentin që është zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës që vjen nga radhët e partisë në pushtet, Vetëvendosjes, tha se është ndi shumë keq momentin kur kishte marrë ftesën që të paraqitet për të dhënë dëshminë lidhur me këtë rast pasi që me të hyrë në Gjykatë kishte hasur në shenjën e Gjykatës që shkruan “Departamenti i Krimeve të rënda”.

“Kur e mora ftesën për me ardhë u ndiva keq dhe u ndiva edhe më keq kur erdha poshtë kur e pash Gjykata për krime të rënda. Nuk dua me pa kërkon prej bashkëluftëtarëve të mi te krimet e rënda e aq më pak për statusin e veteranëve”- tha në fund të dëshmisë Selimi.

Shqipe Selimi duke përshëndet të akuzuarit në rastin "Veteranët"
Shqipe Selimi duke përshëndet të akuzuarit në rastin “Veteranët”

Pas Selimit radha për të dëshmuar iu erdhi Fidan Thaçit dhe Ardian Veliqit, asnjëri prej tyre nuk kishin pasur 18 vjet kur ishin bashkangjitur UÇK-së.

Ndërsa si dëshmitar ishin ftuar edhe Arsim Shabani dhe Bashkim Nishori, por të njëjtit nuk ishin prezent në Gjykatë për të dëshmuar.

Në këto rrethana seanca e sotme përfundoi për të vazhduar ditën e nesërme, më 01.03.2024.

Lidhur me këtë rast më 26.02.2024 kishte dhënë dëshmi Daut Haradinaj.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 24.03.2022 por seanca e parë e rigjykimit u mbajt më 31.10.2023.

Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t`u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.

Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK