Mbledhja e Komisionit hetimor për blerjen e librave. Foto: KALLXO.com.

Mungojnë deputetët, dështon konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore

Mungesa e kuorumit ka bërë që të dështoj mbledhja konstituive e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore për mësimin ulët dhe të mesëm.

Nga njëmbëdhjetë deputetë sa ka komisioni, vetëm 5 morën pjesë në mbledhje, kryesuesi i Komisioni, Shemsedin Dreshaj, Arjeta Fejza, Mirlinda Tishukaj- Sadiku, Mefail Bajqinovci dhe Bekim Haxhiu.

Në mungesë të kuorumit, kryesuesi i Komisionit, Shemsedin Dreshaj tha se komisioni nuk mund të vazhdojë mbledhjen. Ai tha se ky komision është dashur që nga sot të fillojë punën.

“Fatkeqësisht nuk kemi kuorum të mjaftueshëm, ne nuk mund të vazhdojmë procesin e punës së komisionit, edhe përkundër pritjes akademike prej 15 minutave”- tha ai.

Deputeti Bekim Haxhiu, para se të mbyllej takimi, propozoi që komisioni të dakordohet për ditët që do të mbajë mbledhjet, siç tha ai, që deputetë të jenë të njoftuar me kohë për kohën dhe ditët e mbledhjeve të ardhshme.

Deputeti Mefail Bajqinocvi propozoi që komisioni të mblidhet çdo të premte në ora 13:30.

Deputetët u dakorduan që ky komision të mblidhet çdo të premte në ora 13:30 (përjashto ditën e nesërme, e premte, 19.04.2024).

Kuvendi i Kosovës, këtë muaj, më 04.04.2024, ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (AAK), kryesues, Ardian Kastrati (PDK), zëvendëskryesues, Armend Muja (LVV),  Arjeta Fejza (LVV), Mefail Bajqinovci (LVV), Mirlinda Tishukaj- Sadiku (LVV), Arbër Rexhaj (LVV), Bekim Haxhiu (PDK), Vlora Dumoshi (LDK), Agim Veliu (LDK), Duda Balje (Grupi multietnik).

Komisioni ka për detyrë të hetojë pretendimet e ngritura dhe dyshimet për  keqpërdorime dhe manipulime, gjatë procesit të subvencionimit të teksteve dhe mjeteve shkollore. Themelimi i këtij komisioni është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Procesi i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta në shtator të vitit 2023. Për dallim nga vitet e kaluara, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre. Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjete shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore, për vitin shkollor 2023/2024.