Policia konfiskoi arsenal armësh dhe municionesh gjatë një kontrolli në 14 lokacione

Policia ka bërë të ditur se ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh të kalibrave të ndryshëm gjatë një kontrolli të realizuar në 14 lokacione.

Sipas policisë, rasti ka të bëjë me shkatërrimit të një grupi kriminal që ishte realizuar vitin e kaluar (02.10.2023), në të cilin ishin arrestuar tre persona të dyshuar dhe bashkëpunimit ndërkombëtare, lidhur me rastin ‘’Gjermania”, për të cilin ka vazhduar hetimet edhe përgjatë këtij viti.

“Njësiti kundër Krimit të Organizuar ka vazhduar me aktivitete intensive hetimore, ku më datat 13.03.2024, 14.03.2024 dhe 15.03.2024, ka realizuar një operacion policor në disa lokacione të ndryshme në nivel vendi, lidhur me dyshimet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 të KPRK-së”- thuhet në njoftimin e policisë.

Policia njoftoi se do të vazhdojë hetimin dhe zbulimin e të gjitha veprave penale me theks të veçantë ato në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.