A do të themelohet komision hetimor parlamentar rreth zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit?

Zhdukja e mostrave të rastit të Astrit Deharit do të ngrihet përsëri si çështje në Kuvendin e Kosovës. Por, tash rreth propozimit për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për zbardhjen e rastit.

Kjo çështje është në rend dite të seancës së nesërme të Kuvendit.

Megjithatë, jo të gjitha partitë ndajnë të njëjtin mendim për themelimin e këtij komisioni.

Propozimi, i cili ka ardhur nga PDK-ja, përmban idenë që ky komision të themelohet mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret që kanë ndodhur në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj Ministrie që, sipas propozuesit, ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij Instituti.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se themelimi i një komisioni hetimor lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga IML është i rëndësishëm.

“Shpresoj që të votohet edhe nga shumica”- tha Tahiri në fund të javës së kaluar.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, dyshon që kjo nismë e PDK-së është e sinqertë, duke thënë që ngjashëm edhe komisionet e kaluara të propozuara kanë qenë vetëm për të përfituar politikisht. 

Sipas tij, edhe pse është e drejtë e tyre që të propozojnë themelimin e komisioneve të tilla, beson që një propozim i tillë është thjesht për konsum ditor politik dhe të krijojnë kauza të dëshpëruara me shpresën që mund të përfitojnë diçka politikisht.

“Sikurse ta kishte pasur hallin e rastit Dehari në kohën kur kanë qenë në pushtet do kishin mundur të bënin shumë më shumë edhe për ta zbardhur rastin më mirë. Mirëpo kur e kanë pasur atë mundësi dhe nuk e kanë bërë shtrohet pyetja çka po duan tash?”- tha Abrashi në një bisedë me KALLXO.com.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, thotë që ky propozim është i drejtë dhe se në parim është i mendimit që do votojë për themelimin e këtij komisioni.

“Krejt iniciativat që janë për zbulimin e zbardhjen e rasteve, me ditë me zbulu çka ka ndodhë me mostrat, Astrit Deharin, rastin e krejt unë jam për. Edhe nuk kam pasë informacione akoma… por në parim jemi për m’e ditë se çfarë ka ndodhë me atë djalë dhe rastin e tij”- tha Berisha për KALLXO.com.

Ndërkaq nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pranuan të japin një përgjigje për këtë çështje njëherë, pasi që u duhet të diskutojnë së pari me grupin e tyre parlamentar.

“Nuk mundemi me dhanë përgjigje se akoma nuk e kemi diskutuar. Nesër e kemi takimin e grupit parlamentar e shohim e diskutojmë”- tha deputetja Hykmete Bajrami.

Më 8 dhjetor 2022 ishte dhënë lajmi se janë zhdukur provat e rastit të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë që kanë qenë 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit.

Haxhiu kishte thënë se në hapësirën në të cilën ruhen mostrat kanë qasje vetëm tre persona.

Pa u bërë 6 orë nga njoftimi nga ministrja, Ministria e Drejtësisë njoftoi se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore ku ruheshin mostrat e Astrit Deharit.

Nga puna ishin pezulluar Nardi Sheqerxhiu, toksikolog mjekoligjor në IML, Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në IML, Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në IML dhe Ilirjana Shala, kimiste në IML.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë për KALLXO.com që kanë filluar hetimet rreth zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua për vdekjen e një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhës në Kuvendin e Kosovës.

Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve.

Këtë deklaratë e kishte thënë për KALLXO.com ish-drejotri i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë kishte mohuar se kishte dhënë këtë deklaratë.

Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që të bëhej autopsia.

Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili tash është avokat, pesë vite më parë kishte thënë se Astrit Dehari kishte pasur shenja në qafë.

“E kam pa trupin e viktimës, ka gërvishtje në qafë e në duar (por jo gjak). Kemi informata se ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë më shumë nuk mund të themi për momentin. Jemi në pritje të ekipeve të mjekësisë ligjore për detaje më të sigurta” – kishte thënë Hoxha në një prononcim për KALLXO.com atëkohë.

Në ditën kritike, menjëherë u njoftua edhe se Ministria e Drejtësisë në atë kohë e udhëhequr nga Dhurata Hoxha, se kishin filluar hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Një ditë ma pas, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një konferencë, në të cilën Visar Ymeri kishte thënë se Dehari po mbahej në paraburgim për një rast të montuar.

Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

LVV në atë kohë tha se vdekja e Astrit Deharit ishte përgjegjësi institucionale. Dyshime rreth vdekjes së Astrit Deharit pati edhe familja e tij.

Më datë 7 nëntor të vitit 2016, u krye edhe autopsia ndërsa Sylë Hoxha atëkohë kishte dalë me deklaratë se aktivisti i LVV-së kishte vdekur si pasojë e asfiksisë apo problemeve me frymëmarrjen.

Zyrtarë të LVV-së, familja e Astrit Deharit dhe avokati i familjes, Tomë Gashi, pretendonin se Astrit Dehari nuk kishte vdekur apo ishte vetëvrarë porse ishte vrarë.

Për këtë arsye, familja Dehari kishte kërkuar një ekspertizë ndërkombëtare.

Një i tillë ishte bërë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Pas publikimit të raportit, Prokuroria Speciale e Kosovës pretendonte se ky Institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

Ndërsa familja dhe avokati i saj insistonin se ekspertiza dëshmonte vrasjen e Astrit Deharit.

Për këtë arsye ishte kërkuar edhe një ekspertizë shtesë.

Pas publikimit të rezultateve, familja Dehari, respektivisht avokati i saj, Tomë Gashi, kishte theksuar se provat e dërguara në Zvicër kanë qenë të manipuluara dhe të dëmtuara dhe nuk janë ruajtur.