Moscertifikimi, Lista Serbe zyrtarisht ankohet në PZAP

Partia serbe në Kosovë, Lista Serbe është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parshtresa (PZAP) ndaj moscertifikimit të tyre për zgjedhjet lokale të 12.10.2025 nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo parti ka njoftuar se më 22.08.2025 ka dorëzuar ankesën në PZAP.

“Një apel nga Lista Serbe për vendimin joligjor, diskriminues dhe anti-serbë të regjimit të Kurtit, për moscertidikimin, ndalimin e kandidatëve të Listës Serbe në zgjedhjet lokale, është dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Prishtinë” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Listës Serbe.

Kjo parti pret që PZAP të shfuqizojë vendimin që sipas tyre është joligjor dhe i Albin Kurtit.

“Ne kërkojmë që përfaqësuesit ndërkombëtarë të flasin hapur dhe të dënojnë shkeljen e të drejtave të popullit tonë” – thuhet tutje në reagimin e Listës Serbe të cilët kanë publikuar edhe një fotografi të një pjese të ankesës.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, më 21.08.2025, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.

Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi ishin të zëshëm kundër certifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se ka eksponentë që janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, por e cilësuan këtë parti edhe si “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.

Kurteshi tha se “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Ai e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviqit për kryetar të Novobërdës duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

Millosheviq ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë.

Ajo nuk dha arsye për këto shkarkime, në mesin e të cilëve ishin edhe Sasha Millosheiq, Zoran Todiq nga Leposaviqi, Novak Zhiviq i ngarkuar për komunën e Prishtinës, Goran Dançetoviq, kryetar i komunës së Obiliqit, Bozhidar Dejanoviq nga Vitia, etj.

Vendimi i KQZ-së u kundërshtua nga Serbia. Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq tha se ky vendim ishte “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.

Disa orë para mbajtjes së mbledhjes së KQZ-së të enjten, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Zyrtarja amerikane tha se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi”.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se qëndrimi i Qeverisë për Listën Serbe dihet.

Sipas tij, Qeveria nuk ndalon partitë politike, as Listën Serbe, por i takon KQZ-së të mos i certifikojë ato.

Kryeziu ka thënë se Listës Serbe nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, por të Beogradit zyrtar në Kosovë.

“Nuk është hera e parë që kjo çështje diskutohet me zëvendësambasadoren amerikane në Kosovë, Anu Prattipati. U diskutua edhe sot në këtë takim që është i rregullt dhe javor. Qëndrimi i kryeministrit Kurti për Listën Serbe dihet. Qëndrimi i tij dhe i subjektit që ai drejton, pra Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nuk është qëndrim i ri”- ka thënë Kryeziu.

Kryeziu kujtoi se më 23 dhjetor 2024 dy përfaqësuesit e LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Prej atëherë, ka shtuar ai, “Lista Serbe nuk është bërë më e mirë, përkundrazi. ka informacione, të dhëna, fakte dhe argumente të shumta që dëshmojnë qartë se Lista Serbe nuk është aspak parti e zakonshme apo normale”.