Foto: Islam Berisha, KALLXO.com

Miratohet në lexim të parë Projektligji për art dhe kulturë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në lexim të parë Projektligjin për art dhe kulturë. Miratimi i këtij ligji do t’ i hapë rrugë riorganizmit të ri ligjor të shumë prej institucioneve kulturore të cilat kanë ligje të veçanta.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e ka quajtur të nevojshëm miratimin e këtij ligji, pasi sipas tij, legjislacioni që e rregullon artin dhe kulturën është i vjetërsuar dhe nuk u përgjigjet nevojave aktuale.

“Ky projektligj ofron zgjidhje për problemet shumëvjeçare për institucionet publike dhe skenën e pavarur. Korniza aktuale ligjore është shumë e komplikuar, burokratike dhe tepër ngulfatese për lirinë kreative dhe artistike”- ka thënë Çeku gjatë prezantimit të Projektligjit për art dhe kulturë.

Me hyrjen në fuqi të këtij projektligji, do të shfuqizohen disa prej ligjeve që rregullojnë funksionimin e disa institucioneve të kulturës, si: Ligji për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, Ligji për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, “Shota” dhe për ansamblet e tjera, e Ligji për teatrot.