Hapja e Pavijonit të Kosovë në Bienalen e Venedikut 2024. Foto: Pavijon i Kosovës.

Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut

Pavijoni i Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venedik të Italisë është hapur pasditen e sotme, më 18.04.2024.

Kosova në edicionin e 60-të të Bienales së Venedikut prezantohet me instalacionin “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të Doruntina Kastratit me kuratore Erëmira Krasniqin.

Stafi i Pavijonit të Kosovës ka bërë të ditur se instalacioni shpalos pabarazitë në vendin e punës tek gratë dhe pasojat fizike të kësaj pune.

Instalacioni paraqet katër objekte skulpturore, dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e ëmbëlsirave dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjikale në gjunjë. Instalacioni shoqërohet nga një projekt zanor i kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.

Në hapje të Pavijonit të Kosovës, përveç stafit prezantues nga Kosova, sipas njoftimit mori pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, e cila siç thuhet në njoftim, mbajti edhe një fjalë rasti.

Ndërsa komisionerja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Hana Halilaj, citohet të ketë thënë se sivjet Kosova prezantohet me një instalacion skulpturor nga artistja Doruntina Kastrati. “Edicioni i gjashtë i përfaqësimit të Kosovës shpërfaq hapësirat e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore”- citohet të ketë thënë Halilaj.

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe autorja e instalacionit, Doruntina Kastrati dhe kuratorja Erëmira Krasniqi.

Sipas njoftimit të Pavijonit të Kosovës, me rastin e hapjes së Pavijonit është promovuar dhe është shpërndarë edhe një botim i bazuar në hulumtime, ku prezantohen tri histori gojore me ish-punonjës të fabrikës së sallamit.

Pavijoni i Kosovës këtë vit është vendosur në “Museo Storico Navale della Marina Militare” në Venedik -Itali.

ienalja e Venediku do të qëndrojë e hapur deri më 24.11.2024.

Në vitin 2013, Kosova për herë të parë u prezantua në Bienalen e Venedikut me Petrit Halilajn, pastaj më 2015 me Flaka Halitin, më 2017 nga Sislej Xhafa, me Alban Mujën më 2019 dhe Jakup Ferrin më 2022.

Hapja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut 2024. Foto: Pavijon i Kosovës.

 

Hapja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut 2024. Foto: Pavijon i Kosovës.