Mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, Qeveria: Irani sulmoi Izraelin me dronë që i ka në posedim edhe Serbia

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se Irani sulmoi Izraelin me dronë që ka në posedim edhe Serbia. Kjo deklaratë erdhi pasi Zyra e Kryeministrit njoftoi se mbrëmjen e së dielës (14.04.2024), me ftesë të kryeministrit Albin Kurti u mblodh Këshilli i Sigurisë së Kosovës.

“Temë qendrore ishte sulmi i Iranit ndaj shtetit të Izraelit, dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale”- thuhet në komunikatën për media.

Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë.

“Sulmi u krye me dronë Shaheed, prodhim iranian. Mijëra dronë të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaqë sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë”- thuhet më tej në komunikatë.

Sipas ekzekutivit kosovar, institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke i përcjellë zhvillimet e fundit me vëmendje të shtuar, “dhe janë duke e monitoruar gjendjen e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë.”

Irani ka nisur dhjetëra dronë dhe raketa balistike drejt Izraelit, duke kryer një sulm të pashembullt kundër armikut të tij të përbetuar.

Në mesin e dronëve të përdorur në sulmin e 13.04.2024, sipas mediave shtetërore iraniane, kanë qenë dronët iranainë Shahed-136 dhe Shahed-131, raportoi REL.