Lajçak tregon detaje nga takimi në Bruksel

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak është deklaruar në lidhje me takimet e së enjtes (04.04.2024) në Bruksel me dy kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Lajçak tha se përgjatë takimeve ia kanë dalë që të plotësojnë disa “boshllëqe” midis dy propozimeve të dy palëve, duke shtuar se do vazhdojë diskutimet se shpejti, bazuar në idetë e BE-së për kompromis.

“Prita një tjetër diskutim mes dy kryenegociatorëve për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së. Ne ia dolëm të mbushim disa boshllëqe midis propozimeve të dy palëve. Kam në plan të vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”- ka shkruar Lajçak në X.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi thotë se është pajtuar me një propozim të emisarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, sa i përket çështjen së Rregullores së Bankës Qendrore, porse Serbia ka kërkuar kohë shtesë.

Në një deklaratë pas takimeve në Bruskel më 04.04.2024, Bislimi tha se Lajçak ka nxjerrë një propozim të konsoliduar, konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serb në Kosovë dhe e respekton Rregulloren e BQK-së.

“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, z. Lajçak ka nxjerrë një propozim nga ana e tij, propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serb në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe respekton në tërësi Rregulloren e BQK-së. Prapë pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë”- ka deklaruar Bislimi para mediave në Bruksel.

Ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.

“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinws. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha ai, raportoi Radio Evropa e Lirë. 

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Bislimi pas takimit në Bruksel për dinarin: Propozimi i Lajçakut, i konsoliduar dhe konstruktiv