Kuvendi zgjodhi kryesuesin dhe anëtarët e bordit të Trustit

Me 61 vota për, Kuvendi i Kosovës ë enjten në mbrëmje ka zgjedhur kryesuesin dhe anëtarët e bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Emanuel Bajra është zgjedhur kryesues i bordit ndërsa anëtarë janë zgjedhur Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Trim Shala dhe Cyril Demaria Bengochea.

Mandati i tyre do të jetë katër vjeçar.

Bordi i Trustit është zgjedhur me konkursin e dytë të shpallur më 18 prill të këtij viti.

Më herët konkursi i parë ishte anuluar për shkak se ishte vlerësuar se kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve.

Të hënën, ministri i Financave, Hekuran Murati, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca dhe Bashkim Nurboja, përkohësisht ushtrues detyre i Guvernatorit të BQK-së, kanë raportuar para Komisionit për Buxhet në lidhje me procesin e zgjedhjes së bordit të Trustit.

Murati tha se intervistat për këta kandidatë kanë zgjatur nga një orë.

“22 të ftuar kane qenë, intervistat kanë zgjat 1 orë, kanë zgjatë disa ditë. Mund të konsideroj që këta pesë persona janë më të mirët sipas poentimit. I plotësojnë kriteret” – ka thënë Murati.

Pjesë e procesit kanë qenë edhe monitoruesit britanikë.

Komisioni për Buxhet procedon në Kuvend emrat për Bordin e Trustit

Hoti: Procesi për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Trustit u bojkotua nga Murati dhe Auditorja e Përgjithshme