Komisioni për Buxhet procedon në Kuvend emrat për Bordin e Trustit

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar rekomandimin për dërgimin në Kuvendin e Kosovës, të pesë emrave për anëtarë të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale – Trust.

Emrat e proceduar në Kuvend janë Emanuel Bajra, Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Trim Shala dhe Cyril Demaria Bengochea.

Pjesë e procesit kanë qenë edhe monitoruesit britanikë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se intervistat për këta kandidatë kanë zgjatur nga një orë.

“22 të ftuar kane qenë, intervistat kanë zgjat 1 orë, kanë zgjatë disa ditë. Mund të konsideroj që këta pesë persona janë më të mirët sipas poentimit. I plotësojnë kriteret” – ka thënë Murati.

Ndërsa Bashkim Nurboja, përkohësisht Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës tha se Komisioni ka përcjellë sipas ligjit të gjitha procedurat.

“Komisioni oër përzgjedhjen e Bordit të Trustit i përbërë nga unë, Ministri i Financave, Auditorja e Përgjithshme, sipas ligjit i kemi përcjellë të gjitha procedurat. Në fillim kemi vendosur që nuk ka riemërim të anëtarëve dhe kemi hap konkursin. Nuk ka diçka më shumë se që kemi shkruajtur në raport”- tha Nurboja.

Ky është konkursi i dytë i shpallur për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Trustit. Më herët konkursi ishte anuluar për shkak se ishte vlerësuar se kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve.

Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve përbëhet nga Guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Rishpallet edhe njëherë konkursi për Bordin e Trustit