Kryeministri Albin Kurti në vizitë te familja e ish-policit Arbnor Spahiu, Foto: ZKM
Kurti vizitoi familjen e ish-policit Spahiu që po mbahet nga autoritetet serbe në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar familjen e ish-policit Arbnor Spahiut, i cili u arrestua dhe po mbahet nga autoritetet serbe prej datës 07.06.2025.
Kurtin e kanë shoqëruar në këtë takim edhe Kadri Rahimaj, kryetar i Komunës së Kamenicës dhe Liza Gashi, deputete e Kuvendit të Kosovës.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti njoftoi familjarët e Spahiut për përpjekjet e vazhdueshme dhe veprimet e deritanishme të institucioneve të Kosovës, që Arbnor Spahiu të lirohet sa më parë.
“Ai i siguroi që angazhimi është maksimal dhe do të jetë i tillë deri në lirimin e tij. Familjarët u shprehën mirënjohës për vizitën dhe kujdesin” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të datës 13.06.2025.
Kryeministri në detyrë i Kosovës kishte reaguar më 11.06.2025 lidhur me arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi.
Kurti e kishte quajtur sjellje “jonormale” nga ana e Serbisë ndaj kosovarëve dhe kësisoji sipas tij nuk duhet të normalizohet.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë Arbnor Fatmir Spahiut nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë. Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet.” – ka shkruar Kurti bashkëngjitur me postimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha më 11.06.2025 se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit në Serbi të Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
MPJD tha se sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës akuzat e ngritura ndaj Spahiut kanë të bëjnë me rastin e Banjskës, ndërkohë që ai aktualisht ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë pas caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
“Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e ‘Banjskës’. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara – duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij” – thuhet në komunikatë.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës të marrë fund dhe që z. Spahiu të lirohet sa më parë” – është thënë në komunikatën e MPJD-së.
Dyshimet e autoriteteve serbe për këtë vepër i konfirmoi për Radio Evropa e Lirë edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili tha se Spahiu aktualisht ndodhet në Suboticë dhe se “është mirë”.
Në anën tjetër edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është angazhuar në lidhje me rastin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut, i cili është ndaluar në Serbi.
Spahiu, i cili, sipas avokatit, është ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, u ndalua nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.
Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë, në veri të Kosovës, ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtator 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.
Për sulmin në Banjskë ku sipas autoriteteve serbe dyshohet edhe përfshirja e Spahiut Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.
Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.
Më 09.06.2025, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi i 3 prej 45 të akuzuarve për “terrorizëm”, “financim të terrorizmit” dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska”.
Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.
Kurse, të premten, më 13.06.2025, në gjykimin ndaj Dushan Maksimoviqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Vlladimir Toliqit, tre prej 45 personave nga grupi i Millan Radoiçiqit, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, kanë dhënë dëshminë dy zyrtarët policor që ishin në vendin e ngjarjes ku u vra, rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Fahri Shala dhe Sedat Dushi ishin dy policët që i ishin bashkangjitur për ndihmë ekipës së parë policore që kishin vërejtur dy kamionët të cilët e kishin bllokuar hyrjen për në fshatin Banjskë.
Shala tha se i është dëmtuar dëgjimi gjatë një detonimi të granatës së dorës e cila fatmirësisht nuk kishte arritur të kalonte njërin nga kamionët duke shpërthyer mbi të, që sipas tij caku i granatës ishte të binte te zyrtarët policor.
Kurse, Sead Dushi që deklaroi njësoj që pasi kishin arritur me dy veturat shtesë tek ekipa që kishte vërejtur dy kamionët në rrugën që të shpie të fshati Banjskë, ishin pozicionuar dhe kishin dëgjuar një shpërthim.
Shpërthimi ishte aq i madh, sipas dëshmitarit, i shoqëruar me një mori rrafalle nga grupi terrorist në drejtim të zyrtarëve policor.
Dushi tha se i ishin përgjigjur me armë zjarri rafallëve të grupit terrorist dhe i tregoi Gjykatës se kishte arritur të identifikonte edhe një dron i cili mbikëqyrte lëvizjet e tyre, por që nuk kishte arritur që ta godiste me armë zjarri.
Rrëfimi i dy zyrtarëve policor për përballjen me grupin terrorist në Banjskë