MPJD: Po angazhohemi për lirimin e ish-policit Spahiu

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit në Serbi të Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

MPJD thotë se sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës akuzat e ngritura ndaj Spahiut kanë të bëjnë me rastin e Banjskës, ndërkohë që ai aktualisht ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë pas caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

“Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara – duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij.” – thuhet në komunikatë.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se ambasadori Jetish Jashari me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiut, Arianit Kocin do të udhëtojë më 11.06.2025, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.

“Përveç kësaj Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë Kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së ambasadorit Jetish Jashari te z. Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë. Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse.” – kanë njoftuar MPJD.

MPJD, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, thotë se ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë, ndërkohë që thekson se do të vazhdojë të shfrytëzojnë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion që Spahiu të lirohet sa më parë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani.” – thuhet tutje në Kumtesë.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës të marrë fund dhe që z. Spahiu të lirohet sa më parë.” – është thënë në komunikatën e MPJD-së.

Në anën tjetër edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është angazhuar në lidhje me rastin e ish-policit të Kosovës Arbnor Spahiut, i cili është ndaluar në Serbi.

Spahiu, i cili, sipas avokatit, është ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, u ndalua nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.

Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtator 2023 – duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet me armë që kanë pasuar janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Dyshimet e autoriteteve serbe për këtë vepër i konfirmoi për Radio Evropa e Lirë edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili tha se ai aktualisht ndodhet në Suboticë dhe se “është mirë”.

Por, duke folur një ditë më herët për gazetarët në Prishtinë Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e 3 vjet dhe se ai jeton në Gjermani.

Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që sipas tij do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.

Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.

Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.

Për sulmin në Banjskë ku sipas autoriteteve serbe dyshohet edhe përfshirja e Spahiut Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.

Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-Nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.

Të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi i 3 prej 45 të akuzuarve për “terrorizëm”, “financim të terrorizmit” dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska”.

Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.

Ish-Polici Arbnor Spahiu dyshohet nga Serbia për ‘vrasje të rëndë’ në Banjskë